Serbia Pret Dënime nga Gjykata Speciale

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha të premten pas takimit me David Schwendiman, kryeprokurori i ri i gjykatës me bazë në Hagë, se ai shpreson se do të ketë hetime të pavarura dhe të paanshme në krimet e kryera ndaj serbëve në Kosovë gjatë luftës.

Vuçiq “shprehu mbështetjen e qeverisë së Serbisë për punën e Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special, me pritshmëritë se ajo do të ndjekë penalisht personat përgjegjës për krime lufte në Kosovë, të kryera kundër serbëve, por edhe gjithashtu kundër shtetasve të tjerë,” sipas një deklarate të lëshuar nga qeveria.

Schwendiman, kryeprokurori në Zyrën e sapokrijuar të Prokurorit Special, e ngritur në Hagë për të ndjekur penalisht krimet e kryera nga luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000, përfundoi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë dhe Serbi të premten.

Në Beograd, Schwendiman takoi edhe ministrin e jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq, ministrin e brendshëm Nebojsha Stefanoviq, ministren e drejtësisë Nela Kuburoviq, ministrin e mbrojtjes Zoran Gjorgjeviq, përfaqësues të Prokurorisë së Serbisë për krimet e Luftës dhe anëtarë të komunitetit diplomatik.

Në takimet, sipas një deklarate nga zyra e Schwendiman, prokurori “theksoi pavarësinë e tij dhe theksoi se ai do të udhëhiqet në kryerjen e mandatit të tij vetëm nga fakte dhe ligji dhe do ta bëjë punën e tij pa frikë apo favorizime”.

“Ai u angazhua të udhëheqë një proces që është i ligjshëm dhe perceptohet si legjitim nga të gjithë ata që preken nga puna e prokurorisë,” vazhdonte deklarata.

Ministri i jashtëm Daçiq shprehu kënaqësi që më në fund krimet e dyshuara do të hetohen.

Daçiq tha se ngritja e gjykatës se re “ishte një përmbushje e kërkesave të Republikës së Serbisë për të ndjekur penalisht krimet e kryera kundër serbëve gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi”.

Qeveria serbe u zotua të garantonte të gjithë mbështetjen logjistike dhe ligjore për prokurorinë speciale, përfshirë ngritjen e një zyre koordinimi në Beograd.

Para se të mbërrinte në Beograd, Schwendiman vizitoi gjithashtu Prishtinën, ku ai takoi kryeministrin Isa Mustafa, ministren e drejtësisë Dhurata Hoxha, kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Schwendiman, i cili u emërua në shtator si Prokurori Special (kryeprokuror) i Zyrës së re së Prokurorisë Speciale të Kosovës (SPO), më parë drejtonte Task Forcën Speciale Hulumtuese të BE-së (SITF), e cila heton krimet e dyshuara se janë kryer nga luftëtarët e UÇK-së.

Ky nuk është emërimi i parë në Ballkan për Schwendiman, i cili ka punuar si prokuror ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe ka kryesuar departamentin special për krimet e luftës në prokurorinë boshnjake gjatë dy viteve të fundit që ai ishte në vend.

Gjykata speciale do të ngrihet në Holandë dhe disa figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe.

Ajo do të dëgjojë çështje të ngritura nga raporti i vitit 2014 i SITF, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së do të përballeshin me aktakuza për “një fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Burime të afërta me gjykatën thanë për BIRN se paditë e para mund të priten në fund të vitit 2016 ose në fillim të vitit 2017.

Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Negociatat për të ngritur gjykatën zgjatën nga viti 2011 deri në 2015.

Raporti SITF u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili hidhte dyshimet se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Thaçi i ka mohuar akuzat dhe që kur u bë president në shkurt të këtij viti, ai ka mbështetur publikisht themelimin e gjykatës së re.

Gjatë 17 viteve të fundit që kur mbaroi lufta, komuniteti ndërkombëtar ka administruar drejtësinë në Kosovë, por rezultatet e tij kanë qenë të varfra – më pak se 20 vendime përfundimtare në rastet e krimeve të luftës. Serbia ka ndjekur penalisht shtatë raste që kanë lidhje me luftën në Kosovë.

Megjithatë, besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund të trajtonte raste të ndjeshme kundër zyrtarëve të lartë, e cila ishte edhe një nga arsyet pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të krijojë gjykatën e re.

Në Kosovën, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së – njerëz që shihen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë shqiptare të vendit – ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.

Në luftën e Kosovës u vranë rreth 13,000 vetë, kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe një milion u dëbuan, ndërsa 1,666 persona janë ende në listën e të zhdukurve.