Serbia ka Bllokuar Gjykatën dhe Prokurorinë e Mitrovicës

Serbia ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në rajonin e Mitrovicës. Kështu thuhet në raportin zyrtar të vet ministres për Dialog Edita Tahiri, të cilin raport ajo e ka paraqitur pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.

“Në lidhje me drejtësinë, zbatimi është frenuar nga Serbia, që nga 10 janari i vitit 2017, kur Serbia duhej të ndërpriste zyrtarisht pagat dhe kontratat e punës për gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Serbia ende nuk ka paraqitur ndonjë vendim të qeverisë që do të dëshmonte se i ka përmbushur këto detyrime që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit mbi drejtësinë”, thuhet në raportin e kryenegociatores kosovare Edita Tahiri.

Më tej në raport bëhet e ditur se Serbia ka penguar konstituimin e Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në rajonin e Mitrovicës.

“Rrjedhimisht, ajo ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit mbi Drejtësinë në pajtim me Ligjin e Kosovës. Pala e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj”, thuhet në raport.

Lidhur me marrëveshjen në fushën e arsimit, raporti thekson se Serbia nuk ka treguar gatishmëri  për të ndihmuar studentët përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve.

“Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia. Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës”, thuhet në raportin i cili i është paraqitur Brukselit.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!