Serbi: Reagime për grafitet kundër shqiptarëve në Vojvodinë

Lidhja e Social Demokratëve të Vojovodinës ka dënuar ashpër shfaqjen e grafiteve të urrejtjes drejtuar kundër pjesëtarëve të bashkësisë etnike shqiptare që janë shfaqur në disa ndërtesa të qytetit të Vojvodinës.

Në këto vendbanime janë parë grafite në gjuhë serbe ku thuhet “vdekje shqiptarëve”.

“Për fat të keq, kjo nxitje e gjuhës së urrejtjes në kohët e fundit është shpeshtuar në qytetin tonë. Më pak se një muaj më parë janë shkruar mesazhet nxitëse të urrejtjes në lagjen ‘Shumica’, ndërsa vitin e kaluar disa herë janë mbishkruar tabelat me emrat e vendeve në gjuhën e pakicave”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Sipas kësaj komunikate qeverisja lokale ka qenë e paralajmëruar për pasojat e akteve të tilla, por nuk ka ndërmarrë asgjë.

“Qeveria e papërgjegjshme dhe arrogante lokale nuk ka reaguar e as që ka ndërmarrë masa parandaluese dhe tani si rezultat dikush mendon se është e lejuar që të lihen mesazhe që bëjnë thirrje për vrasje”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre, në Zrenjanin janë të mirëseardhur të gjithë, pa marrë parasysh se nga vijnë ose çfarë kombësie e feje janë.

“Pasuria jonë qëndron pikërisht në larmi, më shumë se njëzet kombësi, katër gjuhë zyrtare dhe një trashëgimi e pasur kulturore dhe historike janë ato që e bëjnë Zrenjaninin e dallueshëm dhe ajo çfarë i tejkalon të gjitha ndarjet dhe përkatësitë partiake. Prandaj, nuk duhet të lejojmë që mesazhet e urrejtjes të nxiten në qytetin tonë”, thuhet tutje në këtë komunikatë.