Parlamenti i Republikës Serbe

Serbët e Bosnjës Sfidojnë Ditën e Pavarësisë

Ligjvënësit serbë të Bosnjës i dërguan një mocion Gjykatës Kushtetuese të martën, duke pretenduar se Dita e Pavarësisë që festohet më 1 mars nuk është “përfaqësuese e vullnetit të tre popujve përbërës të vendit (boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve”.

Një marsi në entitetin e Federatës me shumicë boshnjake dhe kroate përkujtohet për të shënuar referendumin e vitit 1992, në të cilin shumica votuan në favor të shkëputjes nga Jugosllavia.

Por votuesit serbë e bojkotuan referendumin e vitit 1992 dhe entiteti i serbëve të Bosnjës, Republika Serbe nuk e shënon këtë ditë si Ditën e Pavarësisë.

Radovan Viskoviq një deputet i partisë qeverisëse të serbe të Bosnjës, Bashkimi i Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, tha një konferencë për shtyp se Dita e Pavarësisë e festuar më 1 mars, është diskriminuese.

“Është e qartë se kjo është një datë që ka lidhje vetëm me dy popujt që votuan në referendumin për pavarësi, kështu që e vendos popullin serb në një pozitë për t’u ndjerë i diskriminuar në raport me dy popujt e tjerë,” tha Viskoviq.

Vendimi për t’i paraqitur një mocion Gjykatës Kushtetuese erdhi nga presidenti serb i Bosnjës Milorad Dodik, pasi gjykata vendosi më herë se Dita e Republikës Serbe më 9 janar ishte diskriminuese ndaj joserbëve në entitet, sepse ajo ishte gjithashtu një festë fetare ortodokse serbe.

9 janari 1992 ishte dita kur serbët e Bosnjës shpallën themelimin e Republikës Serbe, gjë të cilën boshnjakët e vendit e shohin si një shenjë paralajmëruese për luftën që shpërtheu menjëherë pas kësaj.

Dodik muajin e kaluar tha se dëshironte që Gjykata Kushtetuese të rishqyrtonte nëse 1 marsi në Federatë ishte një festë antikushtetuese “duke përdorur të njëjtat kritere dhe argumentet që ata përdorën në vlerësimin e Ditës Kombëtare të Republikës Serbe”.

Dodik thotë se referendumi i 1 marsit shkaktoi nisjen e luftës dhe festimi i asaj dite diskriminon serbët që jetojnë në Federatë.

Republika Serbe mbajti një referendum muajin e kaluar për të vendosur nëse 9 janari do të vazhdojë të përkujtohet si “dita e krijimit të shtetit” të saj, pavarësisht një ndalimi të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe kritikave të forta nga komuniteti ndërkombëtar.

Një shumicë dërrmuese e serbëve në entitet votuan për vazhdimin e festimit të 9 janarit, duke sfiduar Gjykatën Kushtetuese.

Eksperti ligjor boshnjak Vehid Sehiq, një ish-gjyqtar, tha për BIRN-in se vendimi për të paraqitur një apel për festën e Ditës së Pavarësisë që festohet më 1 mars s’ishte aspak surprizë.

“Sapo Gjykata Kushtetuese mori vendimin për Ditën e Republikës Serbe me shpjegimin se ajo nuk i bën dy popujt e tjetër (boshnjakët dhe kroatët) të ndihen komodë, ishte e lehtë të prisje që dikush do të paraqiste këtë mocion, sepse 1 marsi vë në situatë të pakëndshme serbët,” tha Sehiq.