Nga një mbledhje e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

SBASHK-u Dhuron 505 Orë Dore për Mësuesit e Pensionuar

Për nder të Ditës së Mësuesit, më 7 mars, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës do të shpërblejë mësimdhënësit e pensionuar vitin e kaluar.

SBASHK-u për këtë ditë  ka planifikuar një varg aktivitetesh nëpër komunat e Kosovës.

Sindikata e Arsimit njoftoi se aktiviteti qendror do të mbahet më 4 mars në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

”Ky solemnitet do t’i bëjë bashkë 505 të  punësuarit  në arsim e që janë pensionuar  nga prilli i vitit të kaluar e deri në marsin e këtij viti. SBASHK-u në shenjë të respektit për punën e madhe të tyre në arsimimin e edukimin e brezave nëpër vite e dekada u ndan nga një orë dore dhe nga një mirënjohje”, njoftoi SBASHK-u.

Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, zëvendësministri i  MASHT-it Mevlydin Krasniqi  si dhe kryetari  i Sindikatës së Arsimit të Shqipërisë Nevruz Kaptelli.

7 Marsi shënohet si Dita e Mësuesit në trojet shqiptare pasi 129 vjet më parë më 7 mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe.

Në nëntor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për 1 mijë eurot e buxhetit me të cilat Komuna e Klinës bleu 20 orë dore për mësimdhënësit e pensionuar të kësaj komune.

http://kallxo.com/komuna-e-klines-harxhon-1-mije-euro-per-ore-dore/