RRAHMAN JASHARAJ

Jasharaj shprehet sërish kundër vlerësimit të mësimdhënësve përmes testimit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, edhe një herë është shprehur kundër vlerësimit të mësimdhënësve me anë të testimit të njohurive.

Për këtë, sipas tij, është pajtuar edhe Ministria e Arsimit.

“SBASHK-u është deklaruar që moti dhe madje për këtë është pajtuar edhe MASHT-i se me vlerësim me test të njohurive të mësimdhënësve nuk ka dhe nuk do të ketë” – ka thënë Jasharaj për RTV Dukagjini.

Sipas Jasharajt, SBASHK-u ka insistuar që të forcohet divizioni i inspektorëve profesionalë në kuadër të MASHT-it, “të cilët do të shkonin në shkollë, do të shkonin në klasë dhe do ta monitoronin punën që bëjnë mësimdhënësi në lëndën e tij gjatë procesit mësimor”.

Më herët, në muajin gusht të këtij viti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte paralajmëruar vlerësimin e mësimdhënësve por pa treguar mënyrën.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook kishte thënë se procesi i vlerësimit do t’i jepte kuptim edhe rritjes së pagave për mësimdhënësit.

“Ristrukturimi i procesit të vlerësimit të performancës, licencimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve do t’i japin kuptim edhe rrjitjes në paga”- kishte shkruar ndër të tjera ajo.

Nagavci paralajmëron vlerësim të mësimdhënësve, krahas rritjes së pagave