KRU ‘Gjakova’ blen 10 orë dore si dhuratë për punëtorët që do të pensionohen në vitin 2023

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Gjakova’ iu ka blerë 10 punëtorëve që do të pensionohen gjatë vitit 2023, nga një orë dore si dhuratë. Me tender janë kërkuar 9 orë për burra dhe një për gra.

Më 13 shkurt, KRU “Gjakova” ka nënshkruar kontratën për furnizim me orë dore në vlerë 905 euro, me kompaninë “Ermal Neziri B.I”. Kontrata është nënshkruar për 75 euro më pak se vlera e parashikuar.

Ky biznes ka qenë edhe ofertuesi i vetëm që ka marrë pjesë në këtë proces të tenderimit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KRU “Gjakova” ka thënë se arsyeja e blerjes së orëve është për të iu bërë dhuratë punëtorëve të ndërmarrjes që do të pensionohen përgjatë vitit 2023.

“Orët e dorës janë blerë për arsye se gjatë vitit 2023 do të pensionohen 10 punëtorë. Prej tyre 9 janë meshkuj dhe një është femër” – thuhet në përgjigjen e KRU “Gjakova” për KALLXO.com.

Pozitat e këtyre punëtorëve që do të pensionohen dhe përfitojnë nga një orë dore, janë të ndryshme. Si për shembull rojtar, portoarkatar, shef i njësisë, monter, mirëmbajtëse, elektricist apo shpërndarës i faturave.

Sipas KRU Gjakovës, edhe në vitin 2022 është zhvilluar një procedurë e tillë.

“Po ka qenë praktikë e mëhershme, edhe në vitin 2022 është zhvilluar procedurë e tillë për blerjen e orëve të dorës, me rastin e pensionimit të punëtorëve për kontributin e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës” – thuhet tutje në përgjigjen e KRU Gjakovës.