Mbledhja e Keshillit Drejtues, Foto: KALLXO.com

SBAShK i dërgon mësimdhënësit në bregdet

Përderisa në shkollat e Kosovës po debatohet nëse mësimi duhet të mbahet edhe këtë javë për zëvendsimin e orëve mësimore të humbura në grevën e sindikatës së arsimit, kjo e fundit po i planifikon pushimet verore për mësimdhënësit sindikalistë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) ka bërë të ditur se 400 anëtarë të kësaj sindikate do të shkojnë në pushim në bregdetin shqiptar.

Përmes një komunikate për media thuhet se grupi i parë nis pushimet  më 26 qershor,  për të vazhduar  grupet  tjera sipas agjendës së përcaktuar nga Komisioni për përgatitjen e pushimeve.

“ Të 400 pushuesit janë të ndarë në 4 grupe me qëllim që organizimi të jetë sa më i mirë i  pushimeve  dhe aktiviteteve sindikale  atje. Grupi i parë me pushuesit nga Podujeva, Prishtina, Skenderaj, UP-ja, Qendra e studentëve, Fushë Kosova, Obiliqi dhe institucionet e  kulturës e nisin këtë traditë të mirë të mërkurën, më 26 qershor,  për të vazhduar ky aktivitet  me pushuesit nga komunat tjera sipas agjendës së përcaktuar nga Komisioni për përgatitjen e pushimeve”, është bërë e ditur në komunikatë.

Tutje thuhet se përveç pushimit do të ketë edhe diskutime e debate për angazhimin e mëtejmë.

“Pushuesit gjatë qëndrimit në bregdetin shqiptar, përveç pushimit të merituar, do të zhvillojnë edhe aktivitete sindikale përmes tryezave  dhe debateve për arritjet, sfidat dhe idetë e reja për angazhimin sindikal në vijim.  Kryesia e SBASHK-ut dhe Komisioni për pushime për hir të transparencës së plotë  me të përfunduar të këtij aktiviteti do të botojë në ëeb faqen e saj (sbashk-rks.org)  listën e plotë me të gjithë emrat e pushuesve , që janë caktuar nga shkollat dhe njësitë akademike”, përfundon komunikata.

Vlen të theksohet se ende nuk dihet nëse janë duke u kompensuar orët e humbura të grevës së mësimdhënësve, për të cilën MAShT kishte marrë vendim që viti shkollor të zgjatet.

Ndërkaq SBAShK nuk po pranon zëvendësimin e këtyre orëve.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit