array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=6"
  }
}

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit

Deklarata

Deklarata: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ishte treguar e vendosur se orët mësimore të humbura gjatë grevës do të zëvendësohen ndërsa Sindikata e Arsimit kishte thënë se presioni nuk do të jetë zgjidhje për zëvendësim të orëve  dhe se do të prisnin vendimin e gjykatës për këtë çështje.

 

 

MAShT, SBAShK

Vlerësimi

Qëndrim i ndërruar

Të dy palët kanë dalë jashtë premtimeve të tyre fillestare për zëvendësimin e orëve dhe kanë arritur kompromis për një javë zëvendësim të orëve. Krypometri i vlerëson si ndryshime të qëndrimeve deklaratat e të dyja palëve.

 

Artikulli

Vazhdon të jetë e paqartë nëse nxënësit kosovarë do të zëvendësojnë tre javë të humbura të mësimit gjatë grevës së mësimdhënësve në janar.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash-  u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit filluan luftën lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura.

Por për kompensimin e tyre nuk u gjet një zgjidhje as dje kur këto palë u bënë bashkë për diskutim në Komisionin Parlamentar për Arsim.

SBAShK tërë kohën ishte deklaruar se nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura, ndërsa MAShT deklaronte se vendimi i tyre do të mbetet në fuqi dhe orët do të zëvendësohen.

Por qëndrimet e MAShT ndryshuan dje vetëm në tërheqjen e vendimit aktual për kompensimin e këtyre orëve me qëllim të krijimit të një formule të re të kompensimit derisa SBAShK-u kërkoi të plotësohet-ndryshohet Ligji për Paga në mënyrë që të kompensojnë vetëm një javë pasi të përfundojë viti shkollor.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Baton Dushi tha për KALLXO.com se gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë marrëveshje për formën e kompensimit të orëve.

“Jo do të zëvendsësohen krejt komplet orët jo vetëm një [javë], jo nuk ka pasur marrëveshje mes SBAShK, ata kanë thënë nëse neve na bëhet kjo ne pranojmë që një javë ditë mi kompensu ato. Orët që janë humbur duhet të zëvendësohen në tërësi, nuk ka marrëveshje, Ka qenë komplet dezinformim, s’ka pas marrëveshje” tha ai.

Ndërsa, nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala tha se ministri nuk është deklaruar nëse e pranon këtë formë apo jo.

“Ministri u deklarua edhe publikisht edhe brenda takimit të mbyllur me gazetarë që do ta heq vendimin për kompensim të orëve të humbura, ndërsa sa i përket ofertës së SBAShK-ut ka qenë që të ndryshohet kofecienti i ciklit fillor dhe pas kësaj të vendoset që 1 javë të kompensohen orët në fund të vitit shkollor. Ministri për këtë çështje as publiksisht nuk është deklaru as në komision as po as jo, mirëpo është deklaru se e terheq vendimin për kompensim të orëve të humbura”, tha ajo.

Në mbledhjen e djeshme të komisionit, deputetët fillimisht u dakorduan  që të plotësohen kërkesat e SBASHK-ut për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga në mënyrë që të pagat e mësimdhënësve të ciklit të ulët dhe fillor të jenë të barabarta. Gjithashtu, në të njëjtën mbledhje u tërhoq vendimi i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për zëvendësimin e orëve.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala dje tha se pas deklarimit të ministrit Bytyqi për tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës dhe deklarimit të Komisionit Parlamentar se do të iniciojnë plotësim-ndryshimin e ligjit të pagave, ata kanë vendosur që të bëhet kompensimi i orëve për një javë.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi deklaroi se tashmë do të aplikohet një formulë e re e kompensimit të orëve.

“Ne respektojmë procedurat ligjore dhe mund të marrim një vendim tjetër. Vendimi i parë ka ardhur si propozim dhe tani propozimin e ri jemi të gatshëm ta respektojmë, sepse ne nuk punojmë me inate”, ka thënë ministri.

Premtimet e SBAShK-ut

Me 26 shkurt, MAShT-i kishte marrë vendim që të kompensohen orët e humbura, ku pas kësaj Sindikata e kishte paditur Ministrinë dhe si masë të sigurisë kishte kërkuar pezullimin e  vendimit, mirëpo kjo masë u refuzua nga gjykata.

Premtimet se nuk do të ketë kompensim të orëve nga ana e SBAShK-ut u bënë gjatë tërë muajit mars.

Me 8 mars, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë, Rrahman Jasharaj ka treguar se kompensimi i orëve të humbura nga greva e cila është mbajtur në arsim, nuk do të bëhet deri në vendimin e gjykatës.

“Jo, mbetet ende në fuqi vendimi që orët e humbura për shkak të grevës të mos kompensohen deri në vendimin e gjykatës”, ka thënë Jasharaj për KALLXO.com.

Ndërsa, me 15 mars komisioni për Arsim përballi të dy palët, MAShT dhe SBAShK që të gjendet një zgjidhje, por ai takim rezultoi pa sukses.

Megjithatë aty u dhanë premtime që s’do të ketë kompensim të orëve nga SBAShK.

Kryetari i SBAShK-u, Rrahman Jasharaj insistoi që zëvendësimi i orëve të humbura është obligim moral dhe jo të bëhet përmes presioneve.

“Ligji për greva nuk e obligon askënd me i zëvendësu orët, ne në këtë ligj jemi duke u thirrur, por zëvendësimi i orëve mund të jetë obligim moral, jo me presione. Me këto thirrje po dëshironi që në të ardhmen të zbehet greva, do t’i detyrojmë dhunshëm që t’i zëvendësojnë”, kishte thënë Jasharaj.

Edhe me 19 mars Jasharaj në një prononcim për KALLXO.com tha se nuk do të ketë zëvendësim të orëve.

“Ne e kemi thënë shumë qartë se Këshilli Drejtues do të mblidhet dhe do të vendosë për orët e humbura vetëm nëse Ministria e Arsimit e tërheq vendimin që është në fuqi, përndryshe do të presim deri në vendimin e gjykatës për formën e kompensimit. Mësimi nuk do të mbahet këtë të shtunë”, kishte thënë  Jasharaj.

Deklarata tjetër e dhënë për mos kompensim ishte më 31 mars përmes një njoftimi për media, pak para se të fillonte pushimi pranveror.

Në njoftimin e SBASHK-ut “thuhej se me qëllim që të njoftohet edhe një herë opinioni, SBASHK-u përsërit  se pushimi pranveror nga data 1 deri më 5 prill 2019 do të fillojë sipas Kalendarit shkollor 2018-2019, aprovuar në fillim të vitit shkollor, pra, s’ka zëvendësim të  orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror e as vikendeve”.

Ndërsa me 2 prill ata dolen me një kusht të ri, ku thanë se do të kërkonin nga mësimdhënësit zëvendësimin e orëve nëse deputetët amandamentojnë koeficientët e pagave të një niveli të mësimdhënësve.

Deklaratat e MAShT për kompensim të orëve

Derisa sindikata e mësimdhënësve ishte e bindur që nuk do të ketë kompensim të orëve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thoshte se kjo gjë do të ndodhë.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një diskutim në Komisionin për Arsim, me 15 mars të këtij viti, kishte thënë se orët do të kompensohen, madje edhe do të merren masa nëse një gjë e tillë nuk ndodh.

“SBAShK-u po del si mbikëqyrës i arsimit, nuk do të tolerojmë aspak që të preken të drejtat e nxënësve tanë. Ne kemi marrë vendim, nesër mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat dhe do të jemi në teren së bashku me inspektoratin dhe do të marrim masa ndaj personave që e pengojnë procesin mësimor”, kishte thënë Bytyqi.

Ndërsa, me 20 mars këshilltari i ministrit Bytyqi, Valmir Gashi kishte thënë për KALLXO.com se zëvendësimi i orëve të mësimit të humbur gjatë grevës do të vazhdojë edhe këtë të shtunë.

“Ne jemi duke pritur që gjatë këtyre ditëve të ketë një reflektim nga ana e SBAShK-ut. Ndryshe, vendimi i ministrit mbetet në fuqi dhe zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës se organizuar nga këta te fundit do të vazhdoj nga kjo e shtune”, kishte thënë Gashi.

Tash Bytyqi ka ndërruar qëndrim. Ai deklaroi se do të aplikohet një formulë e re e kompensimit të orëve.

“Ne respektojmë procedurat ligjore dhe mund të marrim një vendim tjetër. Vendimi i parë ka ardhur si propozim dhe tani propozimin e ri jemi të gatshëm ta respektojmë sepse ne nuk punojmë me inate”, ka thënë ministri.

Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.

Ligji i ri për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).