Arkiv - Ilustrim

SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme nëse nuk ndalen presionet

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBAShK) ka paralajmëruar se do të hyjnë në grevë të përgjithshme, nëse vazhdojnë presionet nga kryetarët e komunave ndaj mësimdhënësve, për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Në njoftimin e tyre thuhet se SBAShK-u mund të shpallë këtë grevë të përgjithshme, duke kërkuar tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve si dhe përgjegjësinë ndaj atyre që po ushtrojnë presion.

“Një pjesë e Drejtorëve të Arsimit dhe të drejtorëve të shkollave, kanë nisur t’i shtojnë presionet ndaj mësimdhënësve, në përpjekje për të vënë në zbatim vendimin e Ministrit Bytyqi për kompensimin e orëve të humbura, i cili vendim nuk ka bazë ligjore dhe ndaj tij është ngritur padi në gjykatën gjegjëse, SBASHK u është drejtuar zyrtarisht kryetarëve të komunave të Kosovës duke ua bërë me dije se duhet zgjedhur dialogun e jo presionet e urdhrat, sepse me presione vetëm sa mund ta përkeqësojnë situatën në arsim.”, është thënë në komunikatë.

Tutje në njoftimin e SBAShK-ut thuhet se ditëve të fundit një pjesë e komunave ‘kanë ndërmarr një fushatë të presionit të mësimdhënësve për t’i detyruar që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës’.

“Ne vlerësojmë me të drejtë se është vendim i pabazuar në Ligj, pasi që asnjë ligj apo dokument juridik valid i Republikës së Kosovës, e as normë ndërkombëtare nuk ekziston që thotë se orët e humbura gjatë grevës duhet zëvendësuar”, thuhet më tej në këtë shkresë.

Sa i përket paralajmërimit për grevë të përgjithshme SBAShK ka theksuar se nëse ky presion vazhdon dhe hyjnë në grevë, atëherë ‘greva mund të prodhojë edhe ditë të tjera të humbura të mësimit, përveç këtyre 15 ditëve që janë humbur gjatë grevës’.

 

https://kallxo.com/sbashk-kryetareve-te-komunave-mos-u-beni-presion-arsimtareve-oret-nuk-zevendesohen/

.