Rugova për Kosovën dhe Kosova për Rugovën në 15 Fotografi

15 fotografi që dëshmojnë për ish-Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova para dhe pas vdekjes, u ekspozuan sot në ditën kur u bënë 10 vjet që ai ndërroi jetë.

Autori i kësaj ekspozite ishte fotografisti Fahredin Spahija i cili kishte përzgjedhur 15 fotografitë e bëra nga vet ai.

Spahija tha se këto fotografi  e shpërfaqin karakterin e Rugovës dhe e cilësoi si një “model për një politikan”.

“Mendoj se është ikonë intelektuale dhe politike shqiptare në përgjithësi dhe është model se si duhet të reflektojë një intelektual dhe një politikan”, tha Spahija.

Ekspozita u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë “Pjetër Bogdani”. Fotografitë e ekspozuara do të mbesin në bibliotekë dhe do të ruhen si koleksion i fotografive për Ibrahim Rugovën.

Në ekspozitë ishin të prezantuara edhe tekste të shkruara për Rugovën dhe nga Rugova të cilat janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare.

Në këtë organizim në kujtim të ish-presidentit u promovuan edhe dy librat “Kujtesa e Rugovës” nga një grup autorësh dhe “Ibrahim Rugova, Bibliografia letrare 1961-2015”nga Munish Hyseni.

Drejtori i Bibliotekës, Fazli Gajraku, tha se biblioteka së shpejti do të ketë koleksionin e plotë në kujtesë të Rugovës.

“Së shpejti, do të kemi koleksionin më të plotë që mund ta ketë një bibliotekë, për kujtesën e Rugovës. Që më pastaj të mund ta lexojmë, ta zbulojmë dhe rizbulojmë autorin (Rugovën)”, tha Gajraku.

Studiuesi, Nysret Krasniqi tha se Rugova ishte njeriu më i besueshëm në kauzën e tij.

“Ibrahim Rugova nuk u bë i pari duke shkelur e vrarë bashkëpunëtorët e vet por u bë i tillë duke qenë individualitet i pakontestuar dhe ndoshta i vjetmi njeri i besueshëm në kauzën e tij”, tha Krasniqi.

Në këtë takim përveç familjarëve të ish-Presidentit Rugova ishin dhe shumë zyrtarë të lartë e personalitete të tjera për të parë fotografitë në këtë ekspozitë.