Osmani: Rugova ndërtoi aleanca që edhe sot i duhen Kosovës, do të punojmë për realizimin e plotë të vizionit të tij

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, ka bërë sot homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 18 vjetorin e vdekjes së tij.

Osmani u shpreh se Rugova ishte ati themeltar dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun që ia kushtoj çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoj bashkë me popullin e Kosovës dhe aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë ditë”, u shpreh Osmani.

Presidentja më tej shtoi se do të punojnë në përmbushjen e plotë të vizionit të ish-presidenti Rugova, që ishte për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në BE e NATO.

“Presidenti Rugova arriti që një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtoi aleanca që edhe sot i duhen Kosovës. Prandaj sot e përjetë do ti ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane të integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të”, tha Osmani. /Telegrafi