Një marsh kundër vrasjes së Donjeta Pajazitit dhe vrasjeve të tjera në Deçan - Foto: KALLXO.com
Rrjeti i Grave të Kosovës proteston për të kërkuar drejtësi për Donjeta Pajazitin
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka njoftuar se do të mbajë protestë të hënën më 10 shtator në ora 09:30, para Gjykatës së Apelit në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi për Donjeta Pajazitin.
“Të hënën me 10 shtator, në ora 9:30, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) fton aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë, në protestën paqësore para objektit të Gjykatës të Apelit në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi për Donjeta Pajazitin. Përmes kësaj proteste kërkojmë nga gjykata e Apelit ne Prishtinë reagim adekuat për rastin e të ndjerës Donjeta Pajaziti, rishqyrtim të drejtë të vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë si dhe të kërkohet të gjindet dhe të sillet para drejtësisë vrasësi i të ndjerës”, thuhet në njoftimin e këtij rrjeti.
RrGK u bënë thirrje të gjithë qytetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe secilit/ës që ndjen përgjegjësi qytetare, “të na bashkëngjiten në këtë protestë dhe të kërkojmë zbardhjen e këtij rasti tragjik”.
“Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur në nëntor të vitit 2015, ndërsa i dyshuar kryesor për vrasjen e saj ishte kushëriri Naser Pajazitaj, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë u shpallë i pafajshëm, në mungesë provash”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.