Azem Syla në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Refuzohet Kërkesa e Azem Sylës për Shtyrje të Gjykimit

Ka vazhduar sot gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve që akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në fillim të seancës kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Petkov njoftoi se kërkesa për përjashtimin e disa anëtarëve të trupit gjykues dhe kryetarit të trupit gjykues është refuzuar si e pabazë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjithashtu, gjykatësi Petkov njoftoi se Gjykata ka urdhëruar që të vazhdohet procedura penale në mungesë ndaj të akuzuarit Hajrulla Berisha deri në urdhrin tjetër të Gjykatës.

Ky urdhër u lëshua pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit për të vazhduar procedurën në mungesë ndaj Hajrulla Berishës.

Prokurori i rastit, Danillo Cecarelli njoftoi se dy të pandehurit e kësaj lënde Mustafë Haliti dhe Hajrulla Berisha janë në arrati dhe se ka një urdhër për arrestimin e të dyve.

Sipas prokurorit, të dy të akuzuarve të arratisur u janë konfiskuar pronat që janë objekt i akuzës për këtë lëndë.

“Përfundimi i një procedurë të tillë nuk është as lirim nga akuza e as dënim i të pandehurve por është një deklarim që të pandehurit e kanë kryer apo nuk e kanë kryer veprën penale. Nëse gjykata gjen që të pandehurit e kanë kryer veprën penale, atëherë prona e tyre do të konfiskohet”, tha prokurori Cecarrelli, duke arsyetuar kërkesën për vazhdim të procedurës në mungesë.

Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj të akuzuarit Nuhi Uka, për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore, e vërtetuar me një certifikatë të lëshuar nga Qendrës Klinike në Beograd.

Në vazhdim të seancës, avokati mbrojtës i të akuzuarit Azem Syla njoftoi trupin gjykues lidhur me kërkesën e të mbrojturit të tij për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kërkesën dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës për përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues të EULEX-it.

“Kam kërkuar që të njoftoheni ju (trupi gjykues) që të pezulloni procedurën në fjalë deri sa të vendosin për kërkesën tonë”, tha avokati i Azem Sylës, Besnik Berisha.

Në përgjigjen e tij ndaj kësaj kërkese, prokurori Cecarrelli kërkoi të mos shtyhet shqyrtimi gjyqësor duke qenë se nuk ka arsye për një gjë të tillë.

“Kjo nuk është arsye për të shtyrë apo pezulluar gjykimin, qoftë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e as kërkesa në Këshillin Gjyqësor”, tha në kundërshtimin e tij prokurori Cecarrelli.

Gjykata, më pas, refuzoi kërkesën e mbrojtësit të Azem Sylës për shtyrë gjykimin.

“Edhe nëse Këshilli Gjyqësor vendos për përjashtimin e trupit gjyqësor, lënda do të fillojë nga e para”, deklaroi gjyqtari Petkov.

Seanca u ndërpre për shkak të kërkesës së avokatit të Azem Sylës për një pauzë pasi që i mbrojturi i tij duhej të merrte disa medikamente dhe se ende mungonte në seancë e akuzuara Elheme Uka për shkaqe shëndetësore.

Seanca u shty për më 13 shkurt 2018.

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.       Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqesh ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si “Tokat”.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në rastin “Toka”.