Logo e LDK-së - Foto: Facebook

‘Rasti Gjuriq’, LDK u Jep Mbështetje të Plotë Institucioneve të Sigurisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka përcjellë me vëmendje ngjarjet e sotme në veri të vendit.

Kjo parti thekson se, si gjithherë, e vlerëson profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës dhe u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në ushtrimin e sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, LDK-ja ka dënuar “provokimet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë” dhe fton komunitetin ndërkombëtarë të përdorë ndikimin për të parandaluar provokimet e tilla që rrezikojnë stabilitetin në rajon.

“LDK-ja kërkon që ngjarjet e tilla të mos përdoren për qëllime politike nga askush. LDK-ja shpreh besimin se veprimet e institucioneve të Kosovës janë të mbështetura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

“Si partia më e madhe politike në vend, LDK-ja do të jetë e vendosur të mos lejojë askënd të nëpërkëmb shtetësinë e Kosovës dhe do të kërkojë përgjegjësi institucionale nga të gjitha institucionet e mandatuara sipas Kushtetutës për të mbrojtur rendin, sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e saj pas ngjarjeve të sotme, që rezultuan me arrestimin dhe deportimin e zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuriq, i cili hyri ilegalisht në territorin e Kosovës.