Rastet e dhunës në familje prioritet për Prokurorinë e Pejës

Rastet e fundit të dhunës në familjes, e kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Pejës.

Në një njoftim për media të Prokurorisë bëhet e ditur se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka mbajtur takim me zyrtarët përgjegjës policor nga stacionet policore brenda kompetencës së kësaj prokurorie dhe mbrojtësit e viktimave, me qëllim të koordinimit sa më të mirë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Është shqetësuese rritja e rasteve të dhunës në familje, sidomos në muajt e fundit, si dhe, ka kërkuar nga zyrtarët përgjegjës koordinim të plotë mes institucioneve kompetente, për ndërmarrjen e veprimeve sa më të shpejtë dhe efikase për trajtimin e këtyre rasteve”, tha Kurmehaj.

Duke parë përvojën tragjike të rasteve të fundit, janë nxjerrë edhe konkluzione që do të shërbejnë për trajtimin e këtyre rasteve.

“Gjatë këtij takimi, si konkluzion u nxor, se në rastet e kanosjeve, fillimisht të bëhet sigurimi i viktimës nga njësitet policore, kurse më pas të merren me ndjekjen e të dyshuarit, dhe rastet recidive të dhunës në familje të trajtohen me prioritet dhe seriozitet më të theksuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në takim, gjithashtu, u konstatua se është e nevojshme të rritet bashkëpunimi me institucionet tjera përgjegjëse për ngritjen e kapaciteteve dhe kushteve nëpër qendrat strehimore ku trajtohen viktimat e dhunës në familje.

Vlen të theksohet se në Prokurorinë Themelore të Pejës, për rastet e dhunës në familje është i caktuar një prokuror i cili merret ekskluzivisht me këto raste.