Raportimi për “ISIS-at” Ndërron Praktikën në Gjykatë

Raportimi se Gjykata e Prishtinës në orarin zyrtar të gjykimeve ka shpikur veprën e re penale “ISIS-at” e kanë shtyrë kryetarin e Gjykatës së Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, të nxjerrë një udhëzim për mënyrën se si do publikohet tash e tutje orari i gjykimeve.

Më 4 prill, KALLXO.com raportoi se në orarin e saj Gjykata Themelore e kishte quajtur grupin e 7 të dyshuarve si grupi “ISIS-at”. Ky kualifikim ishte shënuar në pjesën ku shënohej vepra penale për të cilën akuzohen pjesëtarët e grupit të cilët do të gjykoheshin duke krijuar kështu përshtypjen se gjykata kishte shpikur një vepër të re penale.

Dy ditë pas raportimit, KALLXO.com ka siguruar një kopje të urdhëresës që kryetari i Gjykatës ua ka shpërndarë të gjithë gjykatësve, e ku potencohet gabimi i raportuar dhe kërkesa që gabime të tilla mos të përsëriten.

I njëjti udhëzim vazhdon me kërkesën e kryetarit Hamdi Ibrahimi prej të gjithë gjyqtarëve në lëminë penale si në Departamentin për Krime të Rënda ashtu edhe ne Departamentin e Përgjithshëm që personalisht të mbikëqyrin orarin e seancave para se të dërgohet te Zyra për Informim. Po ashtu, orari kur të publikohet duhet të përmbajë numrin e lëndës, emrin dhe mbiemrin e të pandehurit (kur lejohet të publikohet), veprën penale sipas Kodit Penal te Kosovës, datën dhe kohën e mbajtjes së seancës, vendin dhe sallën.

http://kallxo.com/isis-emertimi-gjykates-per-vepren-penale/