Mbledhja e Qeverisë (Arkiv)

Qeveria: Në Strategjinë e BE-së Nuk Ka Qartësi për të Ardhmen Europiane të Kosovës

Kosova ka një varg arritjesh të cilat do të duhej të njihen dhe të pranohen nga Bashkimi Europian si përkushtim serioz për avancim thelbësor në rrugën europiane, thekson Qeveria e Kosovës.

Sipas një komunikate të Zyrës për Informim të Kryeministrisë, në Strategjinë për zgjerim të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të publikuar sot nga Komisioni Europian, Republika e Kosovës trajtohet në mënyrë asimetrike, pa qartësi për të ardhmen e saj europiane, duke renditur vetëm kushtet dhe jo stacionin e Kosovës.

“Me Qeverinë e re, Kosova ka implementuar shpejt dhe me efikasitet prioritetet kyçe të listuara në Agjendën e Reformave Europiane (ERA 2017), dhe kështu ka bërë progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kritereve të përgjithshme të MSA-së. Qeveria e Kosovës ka pritur që ky progres të jetë i mjaftueshëm për të qartësuar rrugën që ka Kosova para vetes për të fituar statusin kandidat, ashtu siç ishte me të gjitha shtetet tjera të rajonit, dhe Strategjia e Zgjerimit të jetë mundësi dhe udhë rrëfim i barabartë për të gjithë, e jo vetëm të listojë kriteret pa i renditur rezultatet e arritura”, thuhet më tutje në njoftim.

Po ashtu, Qeveria thotë se është e rëndësishme që Bashkimi Europian të ketë politikë të qartë ndaj Kosovës në mënyrë që të avancojë procesin e saj të integrimit, dhe të mos rrezikohen të arriturat tona të përbashkëta për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

“Këto janë edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët presin nga Bashkimi Europian trajtim të barabartë si për të gjithë qytetarët europianë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ekzekutivi kosovar kërkon të theksohet përkushtimi i qartë i Kosovës për implementimin efikas të MSA-së, seriozitetin në formimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve përkatëse dhe fqinjësisë së mirë.

“Viti 2018 do të duhej të jetë viti kur Kosova me punën dhe përkushtimin e saj, e fiton statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, thuhet në fund të njoftimit të ZKM-së.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është deklaruar në lidhje me Strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, i publikuar sot nga drejtuesit më të lartë të BE-së.

http://kallxo.com/pacolli-strategjia-e-be-se-perspektive-e-besueshme/