Qeveria ndan beneficione për gruan e Demaçit

Qeveria e Kosovës e ka ndryshuar vendimin e vitit 2008 përmes të cilit ishte siguruar një pagesë për veprimtarin Adem Demaçi.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për ndryshimin e vendimit të qeverisë me numër 05/18 të datës 29 prill të vitit 2008 Materialin e keni para vetes e shihni materien, nëse dikush e kërkon fjalën për diskutim urdhëroni, nëse jo kalojmë në aprovim kush është për. votë kundër a ka, jo. Abstenim, jo. Konstatoj se u aprovua pika e pestë e rendit ë ditës”, tha kryeministri.

Në mbledhjen e qeverisë nuk janë dhënë detaje të tjera, mirëpo në komunikatën e lëshuar më vonë thuhet se gruaja e Demaçit do të ketë beneficione.

“Është bërë edhe plotësim ndryshimi i vendimit të Qeverisë të datës 29 prill 2008, me të cilën është rregulluar kompensimi dhe trajtimi institucional për Adem Demaçin. Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit, rregullohen beneficionet që do t’i gëzojë bashkëshortja pas vdekjes së Adem Demaçit”, thuhet në këtë komunikatë të qeverisë.

Nuk dihet se për çfarë beneficione bëhet fjalë.

Qeveria e Kosovës me 29 prill të vitit 2008 kishte vendosur të paguante Demaçin.

“Adem Demaçit, simbol i rezistencës në Kosovë, I lejohet transfer i mjeteve financiare mujore, në vlerë prej 1,000 euro neto, automjet dhe një drejtues I automjetit, I cili do të jetë në shërbim të tij”, thuhet në vendimin e datës 29 prill 2008 të nënshkruar nga kryeministri I atëhershëm, Hashim Thaçi.

Veprimtari Adem Demaci ka vdekur me 26 korrik 2018. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.