Qeveria Miraton Autobusët e Politizuar të Prishtinës

Kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Trafikun Urban të Prishtinës ka kaluar edhe një hallkë procedurale dhe është dërguar për në Kuvend për ratifikim përfundimtar.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, e ka miratuar këtë kredi pasi ajo është nënshkruar javë më parë nga Presidenti i vendit.

Por para se të hyjë në procedurat e kërkuara, çështja e autobusëve ishte politizuar së tepërmi meqë dosja kishte qëndruar me muaj të tërë në pritje të një nënshkrimi nga ana e ministrit të financave dhe garantimit të kredisë nga ana e asamblesë komunale të Prishtinës.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Isa Mustafa, foli për këtë temë.

“Është një çështje që është diskutuar shumë gjatë dhe ka njerëz që kanë menduar që kjo mund të bëhet vetëm me nënshkrimin e ministrit”, tha ai.

“Mendoj që është veprim i mirë dhe është në dobi të qytetarëve dhe është nevojë e qytetarëve të Kosovës. Konsideroj që kuvendi do ta marrë parasysh”, u shpreh kryeministri.