PTK - Foto: KALLXO.com

Qeveria, Mbi 15 Mijë Euro Për Mbrojtje në Arbitrazh nga 'Axos'

Qeveria e Kosovës ka autorizuar kompaninë amerikane ‘Patton Boggs’ për ta përfaqësuar Kosovën në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit kundër kompanisë ‘AXOS’

Qeveria e sapoformuar me në krye Ramush Haradinajn ka paguar mbi 17 mijë euro kompaninë që kryente punë lobiste në kohën e qeverisjes të Hashim Thaçit, për t’i shpëtuar deri në 500 milionë që ia rrezikon arbitrazhi.

Kosova do të përballet në arbitrazh me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh” e cila ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala”, për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro, por pas disa shtyrjeve Qeveria nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani.

Nga padia e “Axos”-it, nëse Qeveria e Kosovës e humb rastin rrezikon të humbasë 180 deri në 500 milionë euro.

Halil Matoshi nga Zyra për Informim e Qeverisë tregoi për KALLXO.com shumën që qeveria do ta ndajë për pagesën e kompanisë “Patton Boggs” për përfaqësimin  e Kosovës .

“Qeveria e Kosovës e ka angazhuar kompaninë “Patton Boggs” për ta përfaqësuar në arbitrazh me kompaninë ‘Axos’  me pagesën prej 17.700 dollarë amerikanë (15,209 euro)”, tha Matoshi.

Firma me seli në Uashington “Patton Boggs” ishte  paguar 50,000 dollarë në muaj nga zyra e Hashim Thaçit në mënyrë që të lobojë për Kosovën në një kohë kur Thaçi drejtonte qeverinë e Kosovës.

“Patton Boggs” ishte paguar nga Zyra e Kryeministrit për t’i ofruar Kosovës “shërbime këshilluese në çështjet ligjore dhe avokim për t’u përdorur për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe”.

Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Isa Mustafa poashtu kishte ndarë 150 mijë euro për t’u përgatitur për këtë përballje.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me veprimtarinë e ‘Patton Boggs’, dhe shkrimet lidhur me të mund ti lexoni këtu.