Kosova e humb arbitrazhin me 'Contour Global', detyrohet t'ia paguajë mbi 20 milionë euro

Qeveria e Kosovës e ka humbur arbitrazhin në rastin me kompaninë “Contur Global”,  duke u detyruar kështu që të paguajë një dëmshpërblim prej mbi 20 milionë euro.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Arsim Zuka avokat në Avokaturën Shtetërore.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC)”- ka thënë ai.

“Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t’ia paguajë ‘Countur Global’-it shumën prej 20,053,125.63 euro”- ka shtuar Zuka.

Zuka ka thënë që këtë vendim do të sfidojnë.

“Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”- ka theksuar ai.

“Contur Global” ka qenë kompania amerikane e cila pati marr përsipër ndërtimin e termocentralit me qymyr “Kosova e re”.

Në mars të viti 2020, kompania kishte njoftuar se do të tërhiqet nga ky projekt, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu kshin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Investitori “Contour Global” përveç ishte tërhequr nga ndërtimi i termocentralit, e kishte paditur Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Kontrata me “Contour Global” është nënshkruar nga Qeveria Haradinaj në dhjetor të vitit 2017. Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur “Kosova e Re”.

Realizimi i këtij projekti energjetik me kapacitet 500 megavatë ka qenë i planifikuar t’i kushtojë 1.3 miliardë euro.

Marrëveshje me “Contur Global” ishte  vlerësuar si një nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë në vlerë prej 1.3 miliard euro, ky projekt nuk u finalizua.

Si përfundoi Kosova në arbitrazh ndërkombëtar nga Contour Global?

Kontrata me Contour Global për termocentralin “Kosova e Re” shkon në Arbitrazh

 

 

“Contour Global” kërkon 20 milionë euro, Ministria thotë se kërkesa është e pathemeltë