Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është thirrur për të dëshmuar në rastin e 53-milionëshit, Foto: KALLXO.com

Dëshmia e Haradinajt në gjykimin ndaj Pal Lekajt në rastin e '53 milionëshit: 'Kërcënimi ka qenë se rruga mbetet në shtylla...'

“Kërcënimi ka qenë se rruga mbetet në shtylla dhe do të takohemi në arbitrazh”.

Kështu deklaroi sot ish-kryemnistri Ramush Hradinaj në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e ’53 milionëshit’.

Haradinaj dëshmoi se nëse nuk do t`i ekzekutoheshin 53 miliionë euro kompanisë Bechtel Enka rasti do përfundonte në arbitrazh.

Për këtë rast akuzohen ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Haradinaj tha se kishin pranuar lajmërim verbal por i cili në rast se nuk merrej parasysh do të përfundonte në formë të shkruar para arbitrazhit e që do ta vinte Kosovën në listën e subjektit të paditur.

“Në formë të shkruar jo, qëndrimi gojor ka qenë që nëse nuk arrihet marrëveshja do ta merrni shkresën jo si kërcenim por si të paditur”- tha Haradinaj.

Ai tutje shpjegoi se kishte  pasur vonesa në përmbushjen e obligimeve kontraktuake nga qeveritë e kaluara.

Haradinaj shtoi se para se të vinte ai në Qeveri, kishte shprehur gatishmërinë Operatori ekonomik që të arrihet marrëveshje për zgjatje të përfundimit të punimeve pa kosto të re.

Dëshmitari tha se në takimin drejtues ndërministror kërkesa e operatorit ekonomik ishte votuar në mënyrë unanime për ekzekutimin e parave tek subjekti në fjalë.

“Ka qenë vendim unanim i përkrahur nga të gjithë anëtarët e kabinetit megjithatë transkriptet e konfirmojnë”- shtoi Haradinaj.

Rasti pritet të vazhdojë edhe me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Rasti është duke u gjykuar nga trupi gjykues prej Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Muxha Konxheli, kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurori Atdhe Dema.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Artikujt e ngjashëm – LINK