Telekomi deri më tani i ka paguar 30 milionë euro kompanisë "Z-Mobile" për Arbitrazhin e parë

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, ka thënë se deri më tani nga vendimi i parë i Gjykatës së Arbitrazhet në rastin e padisë së kompanisë ‘Dardafon.net”, Telekomi ka paguar 30.2 milionë euro nga 37 milionë euro sa është gjithsej dënimi.

“Prej 37 milionë euro kanë mbetë pa u paguar edhe 7.6 milionë euro. Në vitin 2017 janë paguar 4.5 milionë euro, mandej në korrik të 2020 janë paguar 3.3 milionë me përmbarim. Përsëri me përmbarues në nëntor të 2020 janë marrë 2.9 milionë euro. Kjo për me tregu që këta nuk përtojnë për me përmbaru. Në këtë Arbitrazh të parë për shkak të procedurave që janë përshpejtuar kur ka ardhë përmbarimi në gjykatën vendore, brenda muajit është ekzekutuar përmbarimi. Pra brenda muaji një lëndë që ka qenë 37 milionë euro është ekzekutuar”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Hana tha se ky rast është kthyer në rishqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe që presin që kjo Gjykatë të dërgojë në rigjykim atë.

Përkundër kësaj, tha ajo, Telekomi është duke i paguar këstin prej 700 mijë euro në muaj kompanisë ‘Dardafon.net’.

U.d. kryeshefja tha se me vendimin e dytë të Arbitrazhit, kompania ‘Dardafon.net’ është në rrugë për të marrë 51 milionë euro gjithsej nga Telekomi i Kosovës.

Sipas saj, për këtë kontratë të dëmshme njërëzit brenda Telekomit kanë qenë të informuar që në vitin 2011 por nuk e kanë ndërprerë.

“Njerëzit kanë qenë të informuar edhe atë në vitin 2011. Njerëz brenda telekomit, bordi, menaxhmenti i lartë kanë qenë në dijeni, ka pasur raporte për këtë”, tha ajo.