Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Analiza e Telekomit për humbjen në Arbitrazh të dhjetëra miliona eurove nga paditë e kompanisë së Blerim Devollit

Telekomi i Kosovës, dikur kontribues i madh në buxhetin e Kosovës, tash e gjashtë vite punon me humbje, që sipas auditorit janë humbje milionëshe.

Disa ditë më parë Tribunali i Arbitrazhit ka vendosur që Telekomi i Kosovës t’i paguajë mbi 11 milionë euro kompanisë “Z-Mobile” pasi ka humbur edhe një rast kundër kompanisë “Dardafon”.

Vendimi i Arbitrazhit është për rastin e mosvazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë “Dardafon”, në të cilën Blerim Devollit ka 90 për qind të aksioneve kurse kompania “K-com Group L.L.C” ka vetëm 10 për qind të aksioneve.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se nuk do të pranojnë vendimin dhe se të njëjtin do ta procedojnë në instanca të tjera.

“Vendimi i fundit nuk do të thotë që do të mbetet këtu, ne konsiderojmë se kemi fakte të mjaftueshme që këtë vendim ta atakojmë në instanca më të larta siç është ajo e Londrës dhe në gjykatat tona vendore sepse nuk ka asnjë mundësi që të kërkoj fitim të humbur pas gjashtë viteve. Këto janë hapat që do t’i ndjekim”, tha ajo.

Hana ka thënë se me vendimin e dytë të Arbitrazhit, kompania “Dardafon” është në rrugë për të marrë 51 milionë euro nga Telekomi.

“Pas këtij vendimi përfundimisht më nuk kemi relacion me kompaninë ‘Dardafon’. Në vendimin e Arbitrazhit thuhet se Telekomi duhet të paguajë dëmet për fitimin e humbur, likuditetin si dhe shpenzimet e procesit që në total janë 13 milionë e 567 mijë euro. Ndërsa prej Arbitrazhit të parë jemi dënuar 30 milionë euro. Gjithsej janë 51 milionë e 423 mijë euro detyrim të Telekomit ndaj kësaj kompanie. Deri sa Telekomi numëron që 10 vjet, 15.5 milionë euro të hyra, janë të hyra pa fitim. Fitimi është  shumë më pak. Nga kjo marrëveshje e vitit 2009, kompania, ‘Dardafon’ ka përfituar 57 milionë euro, pra kanë qenë të hyra të deklaruara shtuar kësaj edhe Arbitrazhin, ata pretendojnë t’i marrin 100 milionë euro nga Telekomi. Kjo ka qenë një kontratë e dëmshme, brutale dhe e keqe e Telekomit”, ka thënë Hana.