Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Qeveria e cakton ekipin për dialog me Serbinë, pa Haradinajn

Qeveria e Kosoves e ka caktuar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Propozimin për këtë delegacion e ka dhënë kryeministri Ramush Haradinaj, por ai nuk e ka përfshirë veten në këtë delegacion.

Në mungesë të tij, ai e ka lënë zëvendësin e tij në qeveri, Fatmir Limaj në krye të këtij delegacioni.

Zëvendës kryesues do të jetë Zëvendës Kryeministri tjetër Enver Hoxhaj ndërsa anëtarë do të jenë Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi e Mahir Yagcillar.

“Në këtë listë do të jenë edhe përfaqësuesit e opozitës, partitë politike nga një anëtar”, tha Haradinaj

Ai tha se ky vendim do t’i dërgohet Kuvendit.

“Disa herë jam akuzuar se pse s’po e marr përgjegjësinë për dialog. Tani në rastin konkret janë qeveria, janë zëvendës kryeministrat. Kjo është logjika e punës. Na si Qeveri mundemi me prit produktin e punës së Kuvendit, por ata s’po japin. Na po e kryejmë përgjegjësinë tonë, tani Kuvendi e ka”, thënë Haradinaj.