Tomor Qela në konferencën për gazetarë | Foto: KALLXO.com

Qela: Demarkimi me Serbinë nuk Ndryshon Kilometrat

Anëtari dhe zëdhënësi i Komisionit Qeveritar për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës Tomor Qela ka siguruar qytetarët se shifra prej 10905.25 kilometrash katrorë do të vazhdojë të mbetet e pandryshuar edhe pas demarkimit me Serbinë.

“Ne sigurojmë qytetarët se sipërfaqja do të vazhdojë të mbetet kjo”, tha Qela sot në konferencën e thirrur nga ky komision.

Në po të njëjtën orë konferencë për media kanë thirrur edhe ekspertët e pavarur që kundërshtojnë vijën e përcaktuar kufitare me Malin e Zi dhe matjet e territorit nga komisionet qeveritare.

Mirëpo Qela nuk la pa i thumbuar ata.

“Të mos shpalosen në hotele restorante e objekte afariste, por të vijnë të shpalosin argumente e fakte në institucione”, tha në mes tjerash Qela duke bërë të ditur se diskutimi do të jetë i hapur deri sot në orën 15:00.

“Ajo çka na kemi paraqitur në sallën e qeverisë, nuk është meny e restoranteve, por është koleksion i hartave dhe fakteve”, vazhdoi ai.

Sipas Qelës, ka pasur vizitorë të ndryshëm të cilët kanë ardhur të takohen me anëtarët e komisionit këto ditë, mirëpo asnjë nga ta nuk ka sjellë ndonjë argument relevant.

“Sekretaria e Komisionit nuk ka pranuar asnjë fakt apo argument relevant gjatë këtyre ditëve”, tha Qela.

Sipas tij procesi i matjes së territorit është përcjellë nga institucione të ndryshme.

“Procesi është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga përfaqësues të ambasadës së Amerikës, përfaqësues te BE-së dhe KFOR-it” tha ai.

Komisioni Qeveritar për Matjen e Territorit me 21 shkurt publikoi raportin e matjes së territorit, ku për  pjesën e diskutueshme të Çakorrit u konstatua se asnjëherë s’ka qenë pjesë e Kosovës.

http://kallxo.com/komisioni-cakorri-jashte-republikes/

http://kallxo.com/islami-kufijte-e-kosoves-si-ne-flamur/

Mirëpo në një intervistë për KALLXO.com, deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi e quajti joserioz komisionin qeveritar që ka bërë matjen e territorit.

Ai deklaroi se Kosova e ka të vështirë ta mbajë sipërfaqen e njëjtë edhe pas demarkimit me shtet e tjera. Sipas tij, kjo shifër duhet të mbrohet me gjitha format, qoftë edhe me luftë.

http://kallxo.com/bulliqi-komisioni-per-matjen-e-territorit-joserioz/