Punëtorëve të Bankës u Refuzohet Marrëveshja për Pranim Fajësie

Të akuzuarit Burim Ademaj dhe Ilir Kryeziu kishin arritur një marrëveshje për pranimin e fajësinë së bashku me prokurorin e çështjes. Këtë marrëveshje ia paraqitën trupit gjykues i cili e hodhi poshtë me arsye se nuk është bërë në bazë të kërkesave ligjore që duhet respektuar kur të lidhet një marrëveshje e tillë.

Pas refuzimit të marrëveshjes, në vend se të lexohet aktakuza, ajo u konsiderua e lexuar me pajtimin e palëve në procedurë.

Më pas të gjithë të akuzuarit u deklaruan si të pafajshëm, ndërsa seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit dhe avokatëve.

Prokurori në fjalën hyrëse mbeti pranë aktakuzës, kurse fjalën e prokurorit e mbështeti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar-Bankës NLB.

Edhe të dëmtuarit Nazlie Gashi, Sylejman Basha dhe Rasim Krasniqi si dhe përfaqësuesja e Rrahim Kolgecit avokatja Shpresa Berisha e mbështetën fjalën e prokurorit.

Avokatët mbrojtës në fjalët e tyre hyrëse e kundërshtuan aktakuzën duke i mbështetur deklarimet e të akuzuarve për mospranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, Besnik Delijaj dhe Miradie Morina akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për disa vepra penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, të mashtrimit dhe të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Pesë të akuzuarit ishin punëtorë të degës së bankës NLB në Suharekë që akuzohen se përdorën për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete para të afatizuara të klientëve të kësaj banke.

Këtë veprim, sipas aktakuzës, ata e kanë bërë në periudhën nga viti 2008 deri në muajin maj 2011.

Seanca e radhës u caktua për datën 24 shkurt 2016.