Prezantimi i draft-raportit “Kompensimi i viktimave të krimit: Reagimi ndaj rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit” nga KIPRED- Foto: KALLXO.com

Publiku Pak i Informuar për Kompensimin që u Takon Viktimave të Krimit

Në prezantimin e draft-raportit “Kompensimi i viktimave të krimit: Reagimi ndaj rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit” u tha se institucionet nuk e kanë informuar publikun në masë të duhur për mundësinë e kompensimit të viktimave këtyre krimeve.

“Informacioni për ligjin në fjalë nuk hapet në institucione, nuk hapet në vendet adekuate, në vendet publike siç është e parasheh vetë ligji”, tha Ariana Qosaj Mustafa, drejtoreshë e programit në KIPRED, duke iu referuar vendosjes së shpalljeve të dukshme në institucione relevante.

Mundësi e tjetër për rritjen e nivelit të informimit sipas Qosaj-Mustafës janë kampanjat në media.

Mungesa e informimit, sipas saj, mund të ketë reflektuar në një numër të ulët të viktimave që kanë aplikuar për kompensim.

Draft-raporti përmban rekomandime për disa institucione të drejtësisë dhe institucione të tjera që lidhen me këtë çështje.

Për Ministrinë e Drejtësisë, raporti paraprak rekomandon ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për t’iu referuar Programit për Kompensim të Viktimave por edhe që dhuna në familje të përkufizohet si vepër penale.

Veç tjerash, ky raport ka edhe rekomandime për Komisionin për Kompensimin e Viktimave, Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Akademinë e Drejtësisë (AD) dhe Odën e Mjekëve.

KPK-së i rekomandohet rritja e numrit të mbrojtësve të viktimave, KGJK-së marrja e vendimit për mbledhjen e taksave, ndërsa AD-së përfshirja e ligjëratave për Ligjin për Kompensim të Viktimave në planprogramin e saj.

Megjithatë, gjatë konferencës u tha se Kosova ka qenë “shembull për rajonin” me Ligjin për Kompensim.

Michelle Lakomy, këshilltare ligjore në Ambasadën Amerikane, e vlerësoi si të rëndësishëm kompensimin e viktimave.

“Një nga treguesit se sa funksionon një sistem i drejtësisë është se si i trajton viktimat më të ndjeshme të saj — ky Ligj përqendrohet pikërisht në viktimat më të ndjeshme”, tha ajo.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili u shpreh se Kosova është e para në rajon për kompensimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit.

“Është funksionalizuar programi i kompensimit dhe ka filluar zbatimi. Në këtë fushë jemi vend lider në rajon. Vendi ynë po ofron përkrahje ligjore në kompensimin e viktimave”, tha ai.