Foto: KALLXO.com

KIPRED: Për tre muaj mediat ruse publikuan 96 lajme me përmbajtje dezinformuese

Hulumtimi tremujor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) tregon se nga 500 lajmet e publikuara nga mediat ruse, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën, 96 apo 19.2% prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata.

Kështu thuhet në hulumtimin e prezentuar nga KIPRED, me titull, “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformatat Mediale, 1 qershor – 15 gusht, 2021”.

Sipas hulumtimit të KIPRED-it, numri më i madh i dezinformatave është botuar nga Sputnik Serbia (71), pasuar nga TASS (9), RussiaToday (4), UNZ (4), Sputnik International (3), Russian Insider (2), The Duran (2) dhe Newsfront (1).

Mediat e përzgjedhura me origjinë nga Rusia për monitorimin tremujor kanë qenë: Russia Today, Sputnik International, Sputnik Serbia, Meduza, Russia Insider, TASS, The Moscow Times, Newsfront, Unz, The Duran dhe Pravda Report.

Në prezantimin e hulumtimit, drejtori ekzekutiv i organizatës KIPRED, Lulzim Peci, tha se nuk ka reagim prej institucioneve të Kosovës në lidhje me luftën diplomatike të Rusisë ndaj Kosovës.

Ai gjithashtu tha se mosndërtimi i kapaciteteve për ballafaqim me Rusi është njëra prej dështimeve më të mëdha të politikave të Ministrisë së Jashtme të Ksovës që nga themelimi i saj.

“Reagimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë pa politikë të mirëfilltë se si duhet të veprohet ndaj Rusisë dhe se të njëjtat institucione nuk kanë ndërtuar ndonjë narrativë ndaj shtetit rus”, ka thënë Peci

Tutje Peci ka prezantuar disa nga deklaratat publike dhe publikimet e politikës së jashtme të Rusisë dhe veçoritë e lajmeve që përmbajnë dezinformata dhe keqinformim që kanë në shënjestër Kosovën, të publikuara nga mediat ruse në gjuhën angleze dhe serbe.

Analiza e KIPRED-it për 10 deklaratat të dhëna në konferenca për shtyp, artikujve dhe dokumenteve të tjerë të politikës së jashtme ruse, të plasuara për tre muaj (gusht-qeshor)2021, tregon vazhdimësinë e synimeve të narrativave të Rusisë për t’ia gërrmuar themelet shtetësisë së Kosovës dhe angazhimit perëndimor në Kosovë dhe rajon, për t’i ndryshuar narrativat për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, duke ia rrënuar kësisoj themelet drejtësisë ndërkombëtare, për ta akuzuar Kosovën për shtypjen e serbëve lokalë dhe të Kishës Ortodokse Serbe, dhe për mosrespektimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për të krahasuar rastin e Kosovës me atë të Krimesë.

Peci si përfundim ka deklaruar se Qeveria e Kosovës, në koordinim me partnerët e saj perëndimorë, duhet të përgatitet mirë për sesionin vijues të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me qëllim që ta shmangë ndonjë tërheqjeje të papritur të ndonjë njohjeje.