Mehdi Sejdiu
Problemet kyçe të Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Kosova mban statusin e kandidatit potencial për BE-në. Rrugëtimi i integrimit në BE mbetet i vështirë për tri arsye kryesore: mungesa e njohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së, mungesa e reformave në aspektin teknik të masave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiana (ERA), dhe mungesa e gatishmërisë dhe vullnetit politik të BE-së për zgjerim.
Të gjithë vendet mosnjohëse të BE-së, nuk e njohin Kosovën më shumë për arsye të politikës së brendshme dhe rrezikut të legjitimimit të lëvizjeve seksioniste si katalanët dhe baskët në Spanjë, apo qipriotët turk në Qipro. Sa i përket reformave teknike të brendshme, ato kanë ngecur më shumë për shkak të qeverive të jetëshkurta dhe shumicë të pamjaftueshmë për të shtyrë përpara procese legjislative. Në anën tjetër nga kriza e refugjatëve e vitit 2015, partitë euroskeptike të ekstremit të djathtë kanë shtyrë edhe partitë e qendrës në BE të marrin qëndrime më të rrepta sa i përket zgjerimit të BE-së duke shkaktuar kështu një plogështi zgjeruese të Bashkimit Evropian në përgjithësi.
Përkundër koklavitjes në procesin integrues, Kosova ka shënuar një progres të kufizuar drejt integrimit. Ajo ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në në vitin 2015 që përbën marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së. Në vitin 2016 ka aprovuar Agjendën e Reformave Evropiane dhe në vitin 2016 Komisioni Evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën pas përmbushjes së kushteve.
Sidoqoftë MSA dhe ERA mbesin në rastin më të mirë gjysmë të plotësuar, e qytetarët kosovarë, shpesh kanë marrë “lajme të mira për liberalizim të vizave” nga Parlamenti dhe Komisioni Evropian, por ende nuk kanë marrë liberalizimin. Dialogu me Serbinë dhe mos-liberalizimi i vizave konsumojnë ligjërimin politik rreth BE-së dhe liderët politik më shpesh shkojnë në Bruksel për të negociuar me Serbinë sesa për reformat reformat politike, ekonomike e shoqërore që Kosova duhet t’i përmbush për t’u bërë pjesë e BE-së.
Për të diskutuar rreth kësaj teme, D4D në sallonin e së martës pati të ftuar tre panelistë: Teuta Sahatqija, ish-zëvendësministre e jashtme e Kosovës, Lulzim Pecin, Drejtor Ekzekutiv në KIPRED dhe Donika Eminin, Drejtoreshë Ekzekutive në CiviKos. Në diskutim u nxorrën tri mësime kryesore, që paqëndrueshmëria e qeverive që çon në mospërfundimin e mandatave të plota ndikon negativisht në reformat evropiane, momentumet gjeopolitike duhet të shfrytëzohen dhe se pesë vendet mosnjohëse janë çelës i integrimit të Kosovës në BE.
- Paqëndrueshmëria e qeverive dhe integrimi evropian
Në diskutim u tha se problemi i politikës së brendshme të Kosovës dhe paqendrueshmërisë së qeverive, ndikon në qeveri jetëshkurtëra që nuk përfundojnë mandate të plota dhe nuk mund të çojnë para ligjet të cilat i kthehen qeverisë pas përfundimit të mandatit jetëshkurtër.
Ndërrimi i shpeshtë i qeverive, i ndërron edhe palët negociuese vazhdimisht duke e shfaqur Kosovën si partner joserioz në reforma të brendshme dhe bisedimet me Serbinë.
Kosova gjithashtu duhet të ketë koordinator politik, që koordinojnë ministritë në zbatimin e ligjeve dhe masave të MSA-së dhe ERA-së. Koordinator i tillë mund të jetë edhe Besnik Bislimi, zv. Kryeministri i tanishëm, i cili do të mund t’i përcjellte reformat kolegut të tij të ardhshëm pas përfundimit të mandatit.
Prandaj përveç rëndësisë së qëndrueshmërisë të qeverive të Kosovës me mandate të plota, është me rëndësi që partitë politike, që janë të gjitha pro-integrimit evropian, të bashkëpunojnë me njëra tjetrën në agjenden integruese dhe të vazhdojnë me reformat aty ku i kanë ngecur, që edhe masat legjislative të mos kthehen në qeveri dhe të inkorporohen në agjendën legjislative të qeverive në ardhje.
- Momentumet gjeopolitike të integrimeve evropiane
Që nga anëtarësimet e fundit në BE, nga Kroacia në vitin 2013 dhe Rumania e Bullgaria më 2007, BE ka ngadalësuar tempon e zgjerimit. Historikisht, lëvizjet gjeopolitike kanë ndikuar në procesin e zgjerimit të BE-së, si vendet Baltike, vendet e Evropës Lindore, Greqia e Qipro. Pra, integrimi në BE nuk është puro teknik, që përfundon si proces kur përmbushen kushtet. Ai varet shumë nga politika e brendshme të vendeve anëtare. Prandaj është e rëndësishme që momentumet e favorshme të shfrytëzohen nga qeveritë.
Për shembull, në vitin 2015 Kosova me gjasë mund të liberalizonte vizat në të njejtën pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por çështja e Demarkacionit me Malin e Zi bllokoi proceset politike në vend. Tash gjashtë vite më pas edhe pse Kosova përmbushi kushtet e parapara, momentumi politik në BE dhe rritja e të djathtës ekstreme dhe sentimentit anti-imigracion shtyu vendet kyçe të BE-së të hezitojnë drejt dhënies së liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Prandaj edhe Qeveria e tanishme duhet të ketë parasysh që momentumet në politikën e jashtme t’i shfrytëzoj, sepse mund të shkojë një kohë e gjatë derisa ato ri-shfaqen përsëri (nëse rishfaqen). Për shembull në vitin e kaluar Kosova morri vëmendje më të madhe nga Shtëpia e Bardhë sa i përket dialogut me Serbinë që përfundoi me Marrëveshja e Uashingtonit ne shtator 2020. Vet fakti që ndërmjetësues ishte vet Presidenti, tregon momentum për Kosovën, e cila duhet të shfrytëzojë ri-angazhimin e SHBA-së në procesin e dialogut dhe shumicën e saj parlamentare në Kuvendin e Kosovës për të shtyrë reforma dhe vendime që ishin të pamundura për qeveri të kaluara.
Procesi i integrimit evropian i Kosovës është i lidhur me Dialogun me Serbinë, njësoj sikurse procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut ka qenë zgjedhja e çështjes së emrit. Ajo çka nuk duhet të bëjë qeveria është të mos fokusohet shumë në ri-negociimin e marrëveshjeve të kaluara ngaqë rikthimi në tema tashmë të negociuara nuk do ta çonte përpara procesin e dialogut, por do e kthente prapa atë.
- Pesë vendet mosnjohëse
Ndër sfidat kryesore që bllokojnë integrimin e BE-së vazhdojnë të jenë pesë vendet mosnjohëse (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro), njohja e të cilave do të hapte perspektivën e Kosovës për NATO si dhe BE.
Fokus i rëndësishëm i qeverisë së tanishme por edhe vendeve përkrahëse të BE-së duhet të jetë edhe përafrimi ndaj pesë vendeve mosnjohëse. Shtetet mosnjohëse, edhe pse nuk kanë njohur Kosovën, përfitojnë nga siguria që shteti i Kosovës i ofron sigurisë të Ballkanit dhe Evropës. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë që të lobojë tek vendet mosnjohëse, për këtë edhe një shërbim diplomatik meritor. Ngaqë shërbimi diplomatik i tanishëm i shërben shpesh më shumë klientelizmit të brendshëm të partive politike në Kosovë, ku ambasadat shndërrohen si vende rehatimi për klientelën, sesa vende ku lobohet për politikën e jashtme të Kosovës.
Prandaj si rekomandime përfundimtare për të avancuar në çështje të BE-së, është që Qeveria të jetë proaktive, të shfrytëzojë momentumet politike për të shtyrë çështje përpara dhe shumicën e saj parlamentare, të jetë partner i besueshëm i vendeve mike dhe të mos injorojë dialogun me Serbinë, që është proces politik i lidhur me procesin teknik të integrimeve evropiane.
Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.
Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, Salloni është transmetuar direkt në facebook të D4D-së.
|