Prova Tjera në Gjykimin e Ish-Drejtorit të Urbanizimit

Në gjykimin e katër zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për mundësim të ndërtimit të një objekti banesor në kundërshtim me planin urbanistik dhe në fushën e klubit të futbollit “Ballkani”, gjykata kërkoi të dijë kush punon në pozitat e referentëve për dhënien e lejeve ndërtimore.

Në seancën e kaluar Komuna e Suharekës si palë e dëmtuar e këtij procesi ishte obliguar që të sjellë në gjykatë dokumente që lidhen me këta referentë, por përfaqësuesi i kësaj komune solli vetëm përshkrimin e detyrave të punës së referentëve pa akt-emërimet e tyre, ndërsa emrat e atyre që lëshojnë leje ndërtimi ishin shënuar vetëm në një akt përcjellës.

Durak Fondaj, avokati i Kurtesh Fondajt, ish-drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Suharekës që kërkoi këto dokumente, i propozoi gjykatës që akti përcjellës ku ishin të shënuar emrat e referentëve të merrej si provë.

“Meqenëse së bashku me formularin është edhe akti përcjellës në të cilin janë shënuar emrat dhe mbiemrat e personave, të cilët punojnë në cilësinë e personit zyrtar në ndërtimtari, atëherë propozoj që edhe ky akt të administrohet si provë,” propozoi Fondaj.

Propozimin e Fondajt e kundërshtoi prokurori me arsyetimin se akti përcjellës nuk mund të merret si provë, por gjykata obligoi Komunën e Suharekës që t’ia sigurojë si provë se kush punon në pozitat ku lëshohen leje ndërtimi.

Por në seancë gjykata refuzoi kërkesën që përfaqësuesi i komunës të dëshmojë në këtë proces, ndërsa gjykimi i katër zyrtarëve komunalë të Suharekës do të vazhdojë më 6 dhjetor.

Ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës Kurtesh Fondaj, akuzohet se më 22 korrik 2013 lëshoi leje të re ndërtimi në emër të Muharrem Elshanit në kundërshtim me planin urbanistik detal të qytetit.

Aktakuza e ngarkon Muharrem Elshanin se ka zhvendosur një pjesë të fushës së klubit të futbollit “Ballkani”, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 ari nga kjo fushë.

Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afaristo-banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë, duke kaluar në bazën e themeltë të objektit në pronësi shoqërore, duke i shkaktuar komunës dëme të konsiderueshme.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Raif Fetiu, dhe inspektorët e ndërtimit Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësojnë Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së “Ballkanit” në sipërfaqe prej 16 ari dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor.