Objekti i qeverisë i rethuar me shirita sigurie | Foto: KALLXO.com

Protestoj: Objekti i Qeverisë Zonë e Rrezikshme

Në protestën e tetë të zhvilluar kundër përgjimeve të cilat janë publikuar nga portali Insajderi gjatë gushtit e fillimit të shtatorit, të tubuarit thanë se për shkak të keqqeverisjes Kosova ka mbetur e varfër.

“E dënojmë keq- qeverisjen, pasojë e së cilës Kosova është vendi më i varfër në Evropë, Kosova është e izoluar nga Evropa, Kosova ka numrin më të lartë të të papunëve në Europë dhe Kosova është shteti më I korruptuar në Evropë,” tha Hekuran Syla, njëri nga protestuesit.

Ai sërish kërkoi dorëheqjen e të përfshirëve në bisedat telefonike të përgjuara.

“Sërish kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të të gjithë personave të përfshirë në skandalet e përgjimeve dhe hetim penal ndaj tyre, shkarkimin e të gjitha bordeve dhe rizgjedhjen e tyre nën vëzhgimin tonë,” tha Sylejmani.

Në përgjimet e publikuara nga Insajderi deputeti i PDK-së Adem Grabovci dëgjohej të fliste mes tjerësh edhe me zyrtarë të lartë të kësaj partie e shtetit, ndërsa shpesh në këto biseda vendosej kush të punësohej e kush jo nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.

Hetimet e Prokurorisë Speciale ndaj Grabovcit në lidhje me përgjimet e publikuara nisën më 26 gusht.

Grabovci sipas kësaj prokurorie po hetohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje me personat tjerë të paidentifikuar dhe për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Që nga publikimi i përgjimeve #protestoj organizoi edhe 7 protesta tjera dhe shumë aksione simbolike.

protestoj