Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila: S’kam kërkuar asnjëherë të vetme të bisedoj me Radojiçiqin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se asnjëherë nuk ka kërkuar të bisedojë me Millan Radojiçiqin.

“Ajo çka po aludohet për Radojiçiqin, asnjëherë të vetme nuk kam kërkuar as të bisedoj. Normal që ai ka qenë dhe mbetet me urdhër-arrest dhe është  jashtë Kosovës. Asnjëherë nuk ka pasur insistim me marrë ndonjë miratim të tij nga ne ose nga diskutimi që e kemi pasur. Ajo çka ka ndodhur një herë ka qenë kur kemi biseduar për situatën e energjisë dhe kjo situata e energjisë është lidhur drejtpërdrejtë me trafostacionin që është sot në veri, në Vallaq në të cilin janë punëtorët e ‘Elektrosever’-it në të cilin ne e kemi ende sot e kësaj dite situatë në të cilën  aty duhet të vendosen punëtorët e KOSTT-it dhe kjo ka qenë situata në të cilën duhet të sigurohet një funksionim i mirëfilltë i trafostacionit në mbikëqyrje të KOSTT-it” – ka thënë Kusari-Lila në emisionin Debat Plus të RTV Dukagjini.

Sipas saj, Lista Serbe ka qenë ajo që ka këmbëngulur që ajo të bisedojë me Radojiçiqin.

“Ne i kemi kërkuar edhe i kemi thënë edhe Listës Serbe që në këto rrethana në të cilat edhe situata me pagesën e rrymës në veri edhe domosdoshmëria  e zbatimit të marrëveshjes bëhet, ata kanë insistuar me folë me Radojiçiqin, se ata kanë dashtë me ia ngritë pazarin Radojiçiqit në kuptimin që ky tash është i pazëvendësueshëm për rendin dhe ligjin dhe qetësinë në veri. Ky ka qenë insistimi në të cilin Sllavko e thërret, 3 minuta, e lëshon në interfon, ai flet shqip… Në momentin kur ai flet dhe thotë “është e vështirë për mua”, unë i them “këto janë rrethanat dhe situatat që janë kriju…”- ka thënë ajo.