Apeli dënon Ilhami Gashin për rastin “Pronto”
Gjykata e Apelit ka gjetur fajtor Ilhami Gashin, njërin prej të akuzuarave në rastin e njohur “Pronto” i cili si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.
Apeli Ilhami Gashit i ka shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim dhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për në periudhë prej dy vitesh.
Gashi u shpallë fajtor për dy pikat e aktakuzës.
Aktakuza e ngarkon Ilhami Gashin se duke qenë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me të akuzuarin Adem Grabovci si deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe akuzuari Sadat Gashi, si person zyrtar këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar duke krijuar privilegje dhe përparësi mbi bazën e përkatësisë politike për punësimin e personit A.D.
Aktakuza thotë se në periudhën 05.12.2011 – 19.12.2011 në Prishtinë, përmes bisedave telefonike kanë bashkëpunuar për punësimin e A.D në pozitën Koordinator të Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, i cili punësim është realizuar duke mohuar dhe kufizuar në atë mënyrë të drejtat e personave të tjerë që kanë konkurruar për atë pozitë, sipas konkursit të datës 07.11.2012.
Pika dy a aktakuzës thotë se Ilhami Gashi si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme e njëherit edhe kryetar i komisionit për vlerësimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidateve në konkursin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil – Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me të akuzuarit Adem Grabovci, si deputet dhe kryetar i grupit Parlamentar i PDK-së, duke e keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, ka krijuar privilegje dhe përparësi mbi bazën e përkatësisë politike, për punësimin e personit B.C.
Aktakuza tutje thotë se me datën 14.12.2011 në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil ashtu që përmes bisedave telefonike kanë bashkëpunuar për caktimin e B.C. në pozitën e kryeshefit të Agjencisë së Regjistrimit Civil – Ministria e Punëve të Brendshme.
Kujtojmë se të akuzuarit e rastit “Pronto” më 3 janar 2020 Gjykata e Prishtinës i kishte liruar nga akuza. Por sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, Apeli kishte marrë vendim dënues për Adem Grabovcin dhe disa të akuzuar të tjerë.Më pas me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga mbrojtësit e të akuzuarave në rastin “Pronto” lënda ishte dërguar në Gjykatën Supreme e cila vendosi që rasti të rivendosej e të kthehej në Apel.
Për rastin “Pronto” të akuzuar ishin njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ish ministri Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, ish këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ngritur në prill të vitit 2018.Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: Drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhej në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Ndryshe, Alei sot ka liruar nga akuza të dyshuarin tjetër në këtë rast, ish deputetin Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovcin.