Infermierja Drita Jetullahu jep keshilla pacientes ne Dhomen per Edukim Shendetesore ne Vushtrri, Foto: BIRN
Transformimi i kujdesit primar shëndetësor në Kosovë përmes Projektit të AQH-së
Projekti ‘’Accessible Quality Healthcare’ (Qasja në Shëndetësi Cilësore) i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim po transformon shërbimin primar të kujdesit shëndetësor duke trajnuar stafin mjekësor dhe themeluar Dhoma të Edukimit Shëndetësor, në të cilat ofrohen shërbime shëndetësore dhe mbështetje emocionale e psikologjike për pacientët me sëmundje kronike.
“Më duket sikur jam me familjen këtu, kënaqem, edhe shëndeti më përmirësohet për shkak të atmosferës pozitive”- u shpreh 55 vjeçarja nga Vushtrria, Resmije Ibrahimi, duke qeshur teksa po ndante rutinën e saj ditore me infermierët.
Gjendja shpirtërore e Resmijes gjatë kontrolleve të rregullta në qendër ka ndryshuar shumë që nga viti 2016, kur Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Vushtrri filloi të punojë me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Projekti synon të transformojë shërbimet primare të kujdesit shëndetësor me trajnim të stafit mjekësor dhe themelim të dhomave për edukim motivues shëndetësorë, si dhe ofruar mbështetje emocionale dhe psikologjike për pacientët me sëmundje kronike.
Projekti për Kujdes Shëndetësor dhe Cilësor, AQH, operon në pajtim me agjendën kombëtare të reformës dhe plotëson programe të tjera të mbështetura që fokusohen në Kujdesin Primar Shëndetësor, KPS, dhe sëmundjet jo-transmetuese. Që nga viti 2016, ka ndihmuar dhjetëra komuna dhe institucione në Kosovë përgjegjëse për sigurimin e cilësisë së shërbimeve ne kujdesin parësorë.
Atmosfera Familjare në Qendrën e Këshillimit të Vushtrrisë
Trajnimi i ofruar nga AQH synon të fuqizojë infermierët për të ndihmuar pacientët të ndryshojnë zakonet dhe stilin e tyre të jetesës, të menaxhojnë më mirë sëmundjet dhe madje t’i parandalojnë në disa raste.
Në Vushtrri, me mbështetjen e AQH, u hap një dhomë edukimi për qytetarët me sëmundje kronike jo-transmetuese. Këtu, pacientët marrin informacion shëndetësor dhe kalojnë një pjesë të ditës me infermierët.
“Peshoja 104 kilogramë pesë vjet më parë kur u hap kjo dhomë edukuese shendetesore, tani peshoj 91 kilogramë. Gjithë falë këshillave të infermierëve”- tha Ibrahimi.
Ajo shpjegoi se tani nuk e di më “çfarë është stresi nga vizita te mjeku”, teksa shtoi se konsultimet para këtij projekti ishin shumë më të shpejta për shkak të mungesës së kohës për bisedime të hollësishme me mjekët.
Risi në kujdesin primar shëndetësor
Drita Jetullahu, infermiere në dhomën për edukim shëndetësorë në Vushtrri, tha se stafi mjekësor gjithashtu ka përfituar nga projekti i AQH, pasi u trajnuan se si të komunikojnë më mirë diagnozat me pacientët pa i bërë ata të ndihen të shqetësuar.
“Kemi mësuar gjëra që ndoshta nuk u kemi kushtuar vëmendje më parë. Si mjek familjar, nuk keni kohë për këtë lloj këshillimi për shkak të shumë pacientëve që presin”- shtoi ajo teksa kryente kontrolle rutinore të niveleve të sheqerit, tensionit të gjakut, peshës dhe jepte këshilla për aktivitet fizik tek pacientët.
Pacientët në këto qendra marrin një librezë shëndetësore, që shërben si regjistër i parametrave shëndetësorë si nivel i sheqerit, tensioni i gjakut, dhe pesha. Në raste kur gjendja e një pacienti është më e rëndë, ata referohen tek kujdesi i dytë ose i tretë.
Projekti AQH ka lehtësuar trajnimin e infermierëve të kujdesit primar të cilët më pas punojnë në qendrat e dhomat për edukim shëndetësorë të themeluara me ndihmën e AQH-së.
Infermierja Burbuqe Gjoni theksoi se qëllimi kryesor i tyre është të “edukojnë pacientët për sëmundjen e tyre dhe si ta menaxhojnë atë”.
Igballe Zhabari, 57-vjeçare, thotë se fjalët e mira të infermierëve janë shëruese për të.
“Të gjitha infermieret na japin këshilla shumë të mira, kur vij këtu, ndjehem sikur jam me familjen time”- u shpreh ajo.
Komuna Model
Komuna e Lipjanit, me rreth 60,000 banorë, konsiderohet si një model në këtë projekt, falë pjesërisht investimeve në infrastrukturë dhe, në veçanti, përkushtimit, gatishmërisë dhe motivimit të menaxhimit të sistemit lokal shëndetësor për bashkëpunim dhe përmirësim.
Shkëlzen Hajdini, drejtori i shëndetësisë në Lipjan, deklaroi se kujdesi i mirë primar është i pamundur pa fuqizimin e infermierëve dhe ofrimin e shërbimeve cilësore.
“Që nga viti 2016, kemi qenë me AQH, të cilën besoj se është një nga gjërat më të mira që ka bërë komuna”- deklaroi ai.
“Fokusi ka qenë në shërbimet e kujdesit të integruar, duke ofruar shërbime për njerëzit me sëmundje kronike jo-komunikuese dhe menaxhimin e tyre”- shtoi Hajdini.
Komuna e Lipjanit ka një qasje multi-sektoriale lidhur me investimet në infrastrukturë, me shtigje ecjeje, shtigje për biçikleta dhe hapësira të gjelbra.
Hajdini gjithashtu përmendi karavanet e ndërgjegjësimit dhe fushatat informuese të organizuara nga komuna për të rritur ndërgjegjësimin e banorëve për shëndetin e tyre të përgjithshëm.
“Ne gjithashtu mbledhim reagime nga qytetarët, kemi themeluar një këshill pacientësh dhe vlerësojmë komunikimin midis pacientëve dhe mjekëve. Ata duhet të dinë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre”- tha ai.
“Shumë komuna vijnë tek ne duke kërkuar të ndajmë përvojën tonë”- shtoi ai.
Interesi në rritje nga komunat e tjera
Faza katërvjeçare e AQH (faza III) filloi në janar 2024 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2027. Komuna e Vitisë ka shprehur interes për të bashkëpunuar me projektin AQH për të trajnuar infermierët dhe për të ofruar këshillim edukativ, duke parë suksesin në komunat tjera dhe pranimin pozitiv nga qytetarët, veçanërisht nga grupet e cenueshme.
“Kur pashë afërsinë midis qytetarëve dhe infermierëve në komunat e tjera dhe mundësinë për kontrolle shëndetësore gjithëpërfshirëse në një qasje ndryshe nga praktika jonë e përditshme, desha të kemi të njëjtën gjë këtu”- deklaroi Vjollca Kadolli, drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti.
Në vitin 2014, Kadolli hapi një qendër këshillimi për diabetin dhe hipertensionin, por u mbyll për shkak të paqëndrueshmërisë financiare.
Kadolli beson se trajnimi i infermierëve do të ndryshojë sjelljen e tyre ndaj pacientëve, të cilët shpesh janë të ngarkuar emocionalisht dhe kanë probleme të ndryshme që mund të mos i diskutojnë as me familjet e tyre.
“Pacientët kronikë kanë nevojë për shumë mbështetje emocionale dhe psikologjike”- përfundoi ajo.
Sqarim: Ky artikull është prodhuar me mbështetje financiare nga ‘Accessible Quality Healthcare’, AQH.
Shkrimi fillimisht është publikaur në gazetën Prishtina Insight