Prokuroria Themelore në Gjilan po heton listat e veteranëve

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka filluar hetimet për listat e veteranëve.

Këtë e kanë bërë të ditur përmes një komunikate për mediave vet Prokuroria Themelore e Gjilanit.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka caktuar një prokuror, i cili ka filluar të merret vetëm me këtë rast, e cila ka të bëjë me çështjen e përfitimeve dhe abuzimit të listave me veteranët e UÇK-së, pasi që dyshohet se në ato lista ka persona që kanë marrë statusin e veteranit, edhe pse nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në luftë”, thuhet në komunikatën e Prokuririsë Themelore të Gjilanit.

Zona Operatie e Karadakut e cila në përbërjen e saj ka pasur tri birgada, 171, 172 dhe 173 do të jenë objekt i hetimit të Prokurorisë së Gjilanit.

Prokuroria po dyshon në rreth 400 aplikacionit të falsifikuara.

“Prokurori i çështjes është në identifikim e sipër të komandantëve të këtyre brigadave, si dhe përgjegjësit e Zonës Operative të Karadakut. Po ashtu, është në hetim e sipër edhe identifikimi i numrit të aplikantëve, të cilët e kanë fituar statusin e veteranit, e që dyshohet të jenë rreth 400 aplikacione të tilla”, thuhet tutje në komunikatë.