Prokuroria pretendon se hajnat e vranë pjesëtarin e FSK-së

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018.

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani, raporton KALLXO.com.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Prokuroria pretendon se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

https://kallxo.com/njeri-nga-te-vraret-ne-malisheve-pjesetar-fsk-se/

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë, raporton www.kallxo.com.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

Pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë për dy të akuzuarit, Gjykata e Gjakovës një ditë pas vrasjes u kishte caktuar paraburgimin.

https://kallxo.com/gjykata-vendos-per-te-dyshuarit-per-vrasjet-ne-pllocice/

Të njëjtit gjenden ende në paraburgim dhe pritet që Gjykata e Gjakovës të caktojë seancën e parë të gjykimit ndaj tyre.