Foto: KALLXO.com

Vrasja e dyfishtë në Pejë, dyshohet se njëra prej armëve ishte me leje

KALLXO.com ka marrë vesh se ka dyshime se njëra prej armëve me të cilën ka ndodhur incidenti i mbrëmshëm ka qene me leje, ndërsa njëra prej armëve të tjera pa leje.

KALLO.com ka biseduar lidhur me rastin edhe me prokuroren e çështjes, Valbona Disha- Haxhosaj.

Haxhosaj tha se sot kanë dalë në vendin e ngjarjes me ekspertet mjekoligjor dhe ata të balistikës.

Vrasja ka ndodhur në trotuar para lokalit.

Prokurorja tha se prezent ka qenë edhe gjyqtari i procedurës paraprake.

Prokurorja shtoi se ka filluar intervistimi i dëshmitarëve dhe të dyshuarit të arrestuar.

“Për momentin jemi duke shkruar në Prishtinë me ekspertë për të qenë prezent gjatë procesit të obduksionit”, tha prokurorja Disha- Haxhosaj.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me rastin.

Policia ka njoftuar se i plagosuri mbrëmë ka kaluar në cilësinë e të dyshuarit lidhur me incidentin ku mbeten të vrarë dy persona.

Sipas policisë prokurori i rastit pas analizimit ka bërë ricilësimin e tij në të dyshuar.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili pas analizimit të rastit ka bërë ri- cilësimin e viktimës së tretë në të dyshuar dhe me vendim të prokurorit, tani i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje” thuhet në njoftimin e policisë.

Qyteti i Pejës është tronditur mbrëmë nga vrasja e dyfishtë që ka ndodhur në afërsi të shkollës ekonomike në Pejë.

Nga plumbat e shkrepur kanë mbetur të vdekur, kandidati i PDK-së për kryetar të  Pejës, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati i PDK për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj.

Rasti ka ndodhur në afërsi të një lokali që gjendet të shkolla ekonomike.

Dyshimet e para të pakonfirmuara në mënyrë zyrtare, tregojnë se dy të vrarët kanë shtënë në drejtim të njëri tjetrit.

Deri tani dihet se është arrestuar edhe një person tjetër që kishte mbetur i plagosur në këtë incident.

Personi i arrestuar është vëllai i të vrarit Astrit Ademaj.

KALLXO.com ka raportuar dje nga vendi i ngjarjes.

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas incidentit në Pejë ku mbetën të vrarë zyrtarë të saj.

PDK është shprehur e tronditur nga ky lajm tragjik, ndërsa kanë shprehur ngushëllime për familjet e të vrarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017.  Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria e Pejës, ndërsa ende nuk dihen arsyet që kanë dërguar deri të ky incident.