Prokurori Do Dënime më të Larta për Lushtakun e Selimin

Më 27 maj 2015 dy të akuzuarit kryesorë të këtij grupi – kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi u dënuan nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Sami Lushtakut atë ditë iu shqiptua dënimi prej 12 vjetësh burg për vrasje të rëndë të kryer në vitin 1998, ndërsa Sylejman Selimi u dënua me 6 vjet burg për keqtrajtim të civilëve gjatë kohës së luftës, ndersa Sabit Geci, Jahir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Ismet Haxha ishin liruar nga aktakuza.

Prokurori i rastit nuk ishte pajtuar me vendimet e dhëna nga Gjykata Themelore në Mitrovicë duke e atakuar vendimin e themelores për Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Jahir Demakun, Sabit Gecin e Sahit Jasharin.

Edhe avokatët e Sami Lushtakut dhe Sylejman Selimit nuk ishin pajtuar me vendimin e 27 majit të vitit të kaluar dhe të njëjtin e kishin ankimuar në Gjykatën e Apelit.

Sami Lushtaku

Prokurori i  Apelit ne seancën e sotme shtjelloi ankesën e tij kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

“Ne si prokurori mbesim në tërësi pranë ankesave dhe përgjigjeve të dhëna në ankesat e avokatëve mbrojtës në lidhje me këtë rast,” deklaroi Prokurori i Apelit.

Avokati Arianit Koci, mbrojtës i Sami Lushtakut nuk e shtjelloi  ankesën e tij kundër vendimit me të cilin i mbrojturi i tij ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar.

“Unë për shkak të kohës se limituar nuk mundem sot ta shtjelloj ankesën time pasi që shtjellimi kërkon një kohë më të gjatë, e na veç jemi në fund të orarit të punës,” deklaroi avokati Koci.

Edhe mbrojtja e Sylejman Selimit nuk e shtjelloi sot ankesën e saj gjithashtu për mungesë kohe.  ankesën.

Shtjellimin  e ankesës e bëri Mexhid Syla, avokati i Jahir Demakut.

“Unë kundërshtimin tim e kam paraqitur kundër ankesës së prokurorit të Prokurorisë Speciale dhe kam propozuar që kjo ankesë si e tillë të refuzohet. Shkalla e parë me të drejtë ka marrë aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit tim Jahir Demaku,” tha Syla.

Avokati Syla kontestoi bazën e ankesës së prokurorit duke thënë se prokurori po kërkon fajësi për klientin e tij me një person të paidentifikuar nga Shipoli si të dëmtuar.

Seanca e shqyrtimit të rastit “Drenica 1” në Apel do të vazhdojë edhe nesër, ku ankesat e tyre do t’i shtjellojnë  mbrojta e Sami Lushtakut, Syleman Selimit, Sahit Jasharit dhe Sabit Gecit.

http://kallxo.com/perkthyesit-mungojne-ne-drenica-1/