Prokurorët e OKB-së Kundërshtojnë Kërkesën e Mlladiqit për Lirim

Prokuroria e Gjykatës së Hagës i bëri thirrje Gjykatës së OKB-së të refuzojë kërkesën e ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq që të lirohet për të shkuar në Serbi ku do t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor, ndërkohë që apeli kundër dënimit të tij po shqyrtohet ende.

Prokurorja Katrina Gustafson tha të mërkurën se mocioni i paraqitur nga avokatët mbrojtës të Mlladiqit duhet të refuzohet sepse nuk ka asnjë garanci se ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës do të kthehet në Hagë nëse ai do të lirohej.

Gustafson këmbënguli gjithashtu se Mlladiqi po merrte të gjithë kujdesin mjekësor që i nevojitej në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së në Holandë.

Prokurorja tha gjithashtu se një kërkesë e ngjashme nga mbrojtja e Mlladiqit u refuzua vitin e kaluar, “sepse dhoma nuk ishte e bindur se Mlladiqi do të kthehej në Gjykatë, duke marrë parasysh faktin se më parë ai kishte qenë në arrati për 16 vjet”.

“Mlladiqi së fundmi u dënua me burgim të përjetshëm, gjë që e rrit rrezikun që ai të kërkojë të arratiset. Pretendimet nga mbrojtja e Mlladiqit se një garanci nga Serbia që Mlladiqi do të kthehej përsëri në Hagë hedhin poshtë mundësinë që ai t’ia mbathë janë të pabazuara,” shtoi Gustafson.

Ajo tha gjithashtu se mbrojtja nuk përmendi në mocionin e saj se çfarë lloj trajtimi mund të marrë Mlladiqi në Serbi që nuk është në dispozicion të tij në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së.

Një përshkrim i natyrës së saktë të sëmundjes së Mlladiqit u redaktua nga mocioni.

Në fillim të shkurtit, mbrojtja e Mlladiqit apeloi kundër një vendimi të mëparshëm të gjykatës që refuzonte kërkesën e tij për lirim të përkohshëm për trajtim mjekësor në Serbi.

Mbrojtja paraqiti gjithashtu një mocion ku i kërkon gjyqtarëve në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare të rrëzojnë vendimin e tij dhe t’i japin fund procedurave penale sepse Mlladiqi po tregonte shenja “çmendurie të butë”.

Gjykata e Hagës e dënoi Mlladiqin në nëntor të vitit të kaluar me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u lirua nga akuzat për gjenocid në disa komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Edhe përpara dhënies së vendimit, avokatët e Mlladiqit u ankuan për kujdesin mjekësor që klienti i tyre po merrte në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së dhe kërkuan që të organizohen vizita nga mjekët serbë dhe rusë, me qëllim që ata të përcaktojnë nëse Mlladiqi po merrte apo jo kujdes adekuat.