Nga një seancë e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Procedohen në Kuvend Emrat e Anëtarëve të Rinj të Bordit të Akreditimit

Komisioni parlamentar i Arsimit ka procedura për ratifikim në Kuvend emrat e anëtarëve të rinj të bordit të Agjencisë së Akreditimit.

Edhe përkundër vërejtjeve të dhëna nga anëtarët e Komisionit për Arsim, propozimi i Qeverisë mori 6 vota për dhe 2 abstenime.

Anëtarët e propozuar janë Gazmend Luboteni, kryetar, Rozafa Koliqi Lila, nënkryetare dhe anëtarët Berim Ramosaj, Arben Qirezi, Ilir Doçi dhe Dukagjin Zeka.

KALLXO.com pati raportuar për propozimin e anëtarëve të bordit të Agjencisë së Akreditimit nga MAShT-i si dhe për akreditimin e institucioneve private në Kosovë.

Bartës i Programit të Gazetarisë, një Kirurg Vaskular

Anëtarët e Komisionit, Arbërie Nagavci dhe Nezir Çoçaj patën vërejtje se anëtarë e propozuar nuk janë të profilizuar për fushën e arsimit dhe se në mesin e të propozuarve është vetëm një grua.

“Unë e di që kjo Agjenci është kryesorja edhe përgjegjëse për arsimin e lartë. Unë nuk e di qysh janë zgjedh politikisht apo jo. Unë e di që veç një anëtar i propozuar vjen nga fusha e arsimit. Me ekonomistë dhe farmacistë nuk mbahet arsimi i lartë”, tha Çoçaj.

E anëtari tjetër i Komisionit, Adem Mikullovci tha se nuk do të votojë bord që nuk ka profesionistë.

“Unë mendoj se duhet me e cek që nuk dominojnë profesionistët. Unë asnjë bord nuk do ta votoj që nuk ka profesionistë”, deklaroi Mikullovci.

Vërejtje pati edhe në mosinformimin e Komisionit nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi për arsyen e shkarkimit të bordit të kaluar që kryesohej nga Blerim Rexha.

Ndërsa nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Teuta Haxhiu tha se duhet të funksionalizohet sa më shpejt bordi i Agjencisë së Akreditimit për shkak se sipas saj dikujt mund t’i konvenojë ky vakuum institucional.

“Mos ta ndalim procesin sepse mendoj që dikujt i konvenon me pas një vakuum  dhe vërtet dikush përfiton nga koha që këta nuk fillojnë punën. Më mirë të kemi një adresë”, tha Haxhiu.

Pas këtyre vërejtjeve kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi hodhi në votim emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës për bordin e Agjencisë së Akreditimit dhe po ashtu ky Komision mori vendim që më 30 janar 2018 ta ftojë ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për të raportuar para Komisionit për arsimin e lartë.