Komisioni për Arsim kërkon ruajtjen e pavarësisë së Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Komisioni për Arsim ka diskutuar rreth vendimit të KShC-së që t’i tërhiqen akreditimet tri universiteteve publike, atij të Mitrovicës, Pejës e Prizrenit.

Në këtë ishin diskutim të ftuar ishin edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, por se nuk i janë përgjigjur ftesës.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi tha se duhet të respektohen vendimet e KShC-së, derisa ka kërkuar që të bëhen publike raportet e ekspertëve.

“Ne të gjithë e dimë se KSHC është i pavarur dhe ka për obligim të merr vendime brenda fushëveprimit të vet bazuar në legjlisalcionin në fuqi. Ne meqë edhe jemi themelues duhet t’i respektojmë vendimet e tyre. Ne kemi kërkuar raportet ekspertëve ti bëjnë publike sepse duhet opinioni me qenë i informuar për arsyet dhe faktet pse kanë marrë vendimet”, tha Kurteshi.

Anëtarja e këtij komisioni nga PDK, Luljeta Veselaj Gutaj tha se tërheqja e akreditimeve për universitetet publike nuk ishte korrekte.

“Mbyllja e universitete nuk është zgjidhje, është bërë shumë punë për të hapur dhe duhet shumë punë për të punuar. Unë nuk i kam parë raportet e KSHC-së. Thuhet se në mesin e anëtarëve është edhe një zonjë që nuk i plotëson kushtet”, tha ajo derisa pretendoi se Bytyqi po luan lojë me këto vendime.

“Këto u mbyllën në momentin e regjistrimit të nxënësve. E shoh një far loje politike që në këtë moment të mbyllen këto universitetet nga ana e Ministrit të Arsimit”, tha Veselaj-Gutaj.

Ndërsa anëtari nga PSD, Driton Çaushi tha se anëtarët e komisionit nuk duhet t’i akuzojnë anëtarët e KShC për vendimet e tyre.

“Ne nuk duhet të bëhemi pjesë e akuzave ndaj këtij këshilli ose të hedhim dyshime sepse e dëmton autonominë e këtij institucioni e rrezikon edhe procesin e qëndrimit ne institucionet e tjera të edukimit të larte në BE”, tha Çaushi.

Anëtarja nga LDK, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka përkrahur vendimet e KShC duke i quajtur të duhura.

“Më mirë të mos vazhdojnë studentët studimet në këto universitete sesa të dalin kuadro jo profesionale. Mos akreditimi nuk është mbyllje, s’do të thotë që një vjet mos mu akreditu duhet mu mbyllë, por politika duhet të qëndrojë larg KShC”, tha ajo.

Anëtarja nga VV në këtë komision Arbërie Nagavci, tha se tërheqja e akreditimeve për universitetet publike nga ana e KShC tregon situatën reale.

“Në situatën qe jemi vendimet, duhet të kemi parasysh se tregon një situate reale e për të cilën institucionet e kanë ditë gjendjen reale, pas vetëvlerësimit qe e kanë bërë ato. Rekomandimet jepen në bazë të plotësimit të standardeve”, tha Nagavci.

Ndërsa anëtarja nga AAK, Teuta Haxhiu tha se vendimi ka qenë i ngutshëm nga ana e KShC.

Në fund të diskutimit anëtarët janë pajtuar që të dalin me një deklaratë të përbashkët.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, lexoi deklaratën derisa kërkoi miratimin e saj.

“1.Të ruhet pavarësia e institucioneve të pavarura, 2. Nëse ka argumente për shkelje të pakënaqurit të ankohen, 3. Qeveria t’i ndihmojë universitetet publike që të plotësojnë kriteret e kërkuara. 4. Komisioni është kundër deklaratave politike të zyrtarëve të lartë lidhur me vendimin e KShC-së”, janë pikat e deklaratës.

Një propozim pati edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu që të ftohen rektorët e Universiteti të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës, por se propozimi i saj nuk mori përkrahjen e anëtarëve të komisionit.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i PejësMitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte kërkuar që çështja e mosakreditimit të universiteteve publike të adresohet në Qeveri.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/

.