Prishtina Pret Fitore Kuqezi

Ata lojën debutuese të Kombëtares shqiptare në evropianin e Francës e vlerësojnë shumë të rëndësishme.

Rron Daci, njëri nga qytetarët, thotë se edhe nëse pëson ndonjë gol, Shqipëria do të shënojë më shumë.

Ai prognozon rezultatin 2:1.

“Po, Zvicra do t’i jap një gol Shqipërisë, por Shqipëria do t’i jap dy copa,” thotë Daci për KALLXO.com.

Një mërgimtar që jeton pikërisht në Zvicër, ndërsa ndodhet në pushim në Kosovë beson gjithashtu që Shqipëria do të fitojë.

“Është një lojë e vështirë por besoj se Shqipëria për tifozët e saj do të bëj gjithçka që të fitojë,” tha ai.

Ndeshja Shqipëri-Zvicër ka shtuar interesimin për fanella dhe rekuizita tjera të Kombëtares shqiptare.

Njëra nga shitëset thotë se më së shumti po blihen plisa.

“Shumë po kanë interesim njerëzit për me ble, tepër madje. Plisat po blihen më shumë dhe se po i blejnë edhe djemtë, edhe vajzat edhe të rinjtë edhe të moshuarit,”tregoi ajo.

Por njëri nga qytetarët e Prishtinës dëshiron që loja të përfundojë pa fitues.

“Unë shpresoj që do të dalë barazim, sepse ndoshta do t’i jepet mundësia që të fitojë njëra e nuk do të dalë nga grupi,” tha ai.

Në Kombëtaren zvicerane luajnë gjashtë futbollistë shqiptarë.

Kampionati Evropian i Futbollit nisi dje me ndeshjen Francë-Rumani që përfundoi 2:1