CNN: Irani i ka kërcënuar familjet e lojtarëve kombëtares së futbollit

Familjet e anëtarëve të ekipit të futbollit të Iranit që po merr pjesë në kampionatin botëror Katar 2022  janë kërcënuar me burgim dhe tortura nëse lojtarët nuk “mirësjellen” përpara ndeshjes kundër SHBA-së të martën, tha një burim i përfshirë në sigurinë e lojërave.

Pas refuzimit të lojtarëve iranianë për ta kënduar himnin kombëtar të kombit në ndeshjen e tyre hapëse kundër Anglisë më 21 nëntor, burimi i lartcekur tha se lojtarët u thirrën në një takim me anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane (IRGC).

Burimi në fjalë tha se atyre u ishte thënë se familjet e tyre do të përballeshin me “dhunë dhe torturë” nëse nuk e këndojnë himnin kombëtar ose nëse i bashkohen ndonjë proteste politike kundër regjimit të Teheranit.

Lojtarët e kënduan himnin para ndeshjes së tyre të dytë kundër Uellsit të premten e kaluar, e cila rezultoi me një fitore 2-0 për Iranin.

Burimi, i cili po monitoron nga afër agjencitë e sigurisë të Iranit që veprojnë në Katar gjatë periudhës së Kupës së Botës, tha se dhjetëra oficerë nga IRGC ishin thirrur për t’i monitoruar lojtarët iranianë të cilët nuk lejohen të përzihen jashtë skuadrës ose të takohen me të huaj.

“Ka një numër të madh oficerësh iranianë të sigurisë në Katar që mbledhin informacion dhe monitorojnë lojtarët”- tha burimi.

Carlos Queiroz, trajneri portugez i ekipit kombëtar të Iranit, u takua veçmas me oficerët e IRGC-së pas kërcënimeve të tyre ndaj lojtarëve iranianë dhe familjeve të tyre.

Burimi i lartcekur nuk tha se cila ishte përmbajtja e asaj bisede të supozuar.  Queiroz ka thënë se lojtarët iranianë mund të protestojnë në Kupën e Botës Katar 2022, por vetëm brenda rregulloreve të FIFA-s.

Gjithnjë sipas këtij burimi, lojtarëve u ishin premtuar “dhurata dhe verura” përpara ndeshjes së Anglisë, por regjimi, sipas burimit, kishte kaluar në kërcënimin e lojtarëve dhe familjeve të tyre pas poshtërimit të refuzimit të ekipit për të kënduar himnin e tyre kombëtar.

“Në ndeshjen e fundit kundër Uellsit, regjimi dërgoi mbi qindra mbështetës të këtyre aktorëve për të krijuar një ndjenjë të rreme mbështetjeje dhe favori mes tifozëve.  Për ndeshjen e radhës kundër SHBA-së, regjimi po planifikon ta rrisë ndjeshëm numrin e aktorëve në mijëra”- tha burimi.

Irani dhe SHBA-të do të përballën sot në një ndeshje vendimtare të Grupit B.

Irani po shfaqet në këtë Botëror nën hijen e trazirave të brendshme.  Shefi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka thënë se Irani është në një “krizë të plotë të të drejtave të njeriut” ndërsa autoritetet po i shtypin disidentët kundër regjimit.

Protestat, të referuara nga ekspertët si më të rëndësishmet që nga vendosja e sundimit klerik pas Revolucionit iranian të vitit 1979, e kanë tronditur Iranin muajt e fundit dhe e kanë kërcënuar regjimin e këtij vendi, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se 40 vjet.

Protestat u nxitën nga vdekja e Mahsa Amini, një grua 22-vjeçare e cila vdiq pasi u ndalua nga policia morale e Iranit, gjoja për mos respektim të kodit konservator të veshjes së vendit. Forcat iraniane të sigurisë kanë reaguar dhunshëm.

Të dielën, media shtetërore e Iranit bëri thirrje që SHBA të përjashtohet nga Kupa e Botës 2022 pasi Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara e ndryshoi flamurin e Iranit në platformat e saj të mediave sociale për të treguar mbështetje për protestuesit në Iran.

Federata kishte shfaqur përkohësisht flamurin kombëtar të Iranit në llogaritë e saj zyrtare në Twitter, Instagram dhe Facebook pa emblemën e Republikës Islamike.  Një grafik tashmë i fshirë i renditjes së Grupit B, i postuar të shtunën, e shfaqte flamurin iranian vetëm me ngjyrat e tij jeshile, të bardhë dhe të kuqe.

US Soccer i tha CNN të dielën se donte të ndryshonte flamurin zyrtar për 24 orë për të treguar “mbështetje për gratë në Iran që luftojnë për të drejtat themelore të njeriut”- por gjithmonë planifikoi të kthehej në flamurin origjinal.

Ndryshimi “ishte një grafik një herë”, tha US Soccer për CNN. “Ne kemi flamurin kryesor në faqen tonë të internetit dhe në vende të tjera”. Stema aktualisht është kthyer në flamur në kanalet e mediave sociale të US Soccer.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha CNN se nuk ishte koordinuar me US Soccer në vendimin e organit sportiv për ta ndryshuar flamurin e Iranit në llogaritë e tij të mediave sociale për të treguar mbështetje për protestuesit në Iran./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala