Delegacioni i Barcelonës në Prishtinë : Foto: Komuna e Prishtinës

Prishtina dhe Barcelona-Bisedime për Bashkëpunim

Sipas komunikatës së Komunës së Prishtinës, delegacioni i ardhur nga Barcelona ishte i përbërë nga zyrtarë të Departamentit për Marrëdhënie dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Institutit Publik të Tregut Komunal të këtij qyteti.

Komunikata njofton se dy delegacionet shkëmbyen përvojat dhe shikuan mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin dhe menaxhimin e tregjeve komunale, rigjenerimin urban dhe shfrytëzimin e hapësirave publike.

Gjatë këtij takimi nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu njoftoi delegacionin e Barcelonës me punën dhe të arriturat në sektorin e urbanizmit, planifikimit hapësinor, zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike.

Komunikata bën të ditur se Dardan Sejdiu njoftoi mysafirët me iniciativën e  themelimit të Tregut Mobil të Fermerëve.

“Sipas Dardan Sejdiut, ky treg po shfrytëzohet për zhvillimin ekonomik të qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë fermerëve, të cilët tashmë kanë një vend të sigurt dhe dinjitoz për plasimin e produkteve të tyre të freskëta drejtpërsëdrejti te konsumatori, duke eliminuar kështu ndërmjetësimin e tregtarëve për shitjen e këtyre produkteve,” thuhet në komunikatë.

Ndërkaq Cortez I Roland nga Komuna e Barcelonës njoftoi me punën e Institutit Publik të Tregut Komunal të Barcelonës si dhe shprehu interesimin për mundësi për bashkëpunim në mes të dy komunave.

“Ai edhe njëherë ka theksuar se qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Komunës së Barcelonës për zhvillimin dhe menaxhimin e tregjeve komunale, duke ndërlidhur këtë mundësi me rigjenerimin urban dhe shfrytëzimin e hapësirave publike,” sqaron komunikata.

Pas takimit, delegacioni nga Barcelona vizitoi Tregun Mobil të Fermerëve në Sheshin “Zahir Pajaziti” ku edhe bisedoi me fermerët të cilët treguan interes për shkëmbim të përvojave me tregjet e Barcelonës.