Prestreshi: Ambasada gjermane dhe BE përkrahin diskutimin për monopolin në homologim

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka mirëpritur seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që pritet të mbahet të premten për homologimin e automjeteve.

AKK përkujton se nuk qëndron vetë në luftimin e monopoleve.

“Ligji e thotë që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është agjenci e pavarur e organit më të lartë shtetërorë, e kuvendit. Andaj Autoriteti i Konkurrencës nuk qendron vetë në luftimin e monopoleve! Seanca e jashtëzakonshme e kuvendit që pritet të mbahet të premten per homologimin e automjeteve është një proces i koordinuar jashtëzakonisht mirë ndërmjet AKK-së, BE-së, Ambasadës Gjermane, Komisionit pêr Tregti dhe Industi dhe Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Të premten, më 28 qershor Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për monopolin në homologim.

Kjo seancë e jashtëzakonshme është ftuar nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje.

Të martën, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik në lidhje me këtë çështje.

Kompania që ka monopolin në homologimin e automjeteve është “Eurolab”. Kontrata e “Eurolab” me Ministrinë e Infrastrukturës daton që nga 2009 dhe do të përfundojë brenda pak ditëve.

Mirëpo, një udhëzim administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës, sipas Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është i jashtëligjshëm.

Ky udhëzim administrativ ia mundëson ‘Eurolab”-it që ta ketë monopolin në homologim të automjeteve edhe për vite të tjera.

Emisioni Drejtësia në Kosovës përmes një hulumtimi të gjerë e kishte ngritur këtë shqetësim qysh në maj të vitit të kaluar.

Hulumtimi i DnK-së tregon për rrezikun që po i kanoset tregut të lirë nga ky udhëzim administrativ.

Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin se udhëzimi administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës bie ndesh me Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës dhe shpie në pabarazi.

Vetëm një vit më pas, kur edhe zyrtarët e BE-së në Kosovë kërkuan nga deputetët të marrin masa, kjo çështje ka filluar të diskutohet.

Ministri Lekaj, gjatë raportimit të djeshëm, deklaronte se përgjegjës për vazhdimin e licencës për kompaninë “Eurolab” është qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa dhe koalicioni PDK-LDK që kishin miratuar Ligjin për automjete.

Këtu mund ta gjeni hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë” të publikuar në maj të vitit të kaluar.