Lekaj: 'Eurolab'-it po ia vazhdon monopolin ligji që e ka miratuar LDK dhe PDK

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka hequr të gjitha “fajet” nga vetja për monopolin në homologim të automjeteve. Vazhdimin e licencës për kompaninë “Eurolab”, Lekaj thotë se e ka bërë qeveria e kaluar e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Vitin e kaluar koalicioni qeverisës ka qenë PDK-LDK dhe minoritetet.

Ministri Lekaj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke raportuar për Udhëzimin Administrativ që sipas zyrës së BE-së në Kosovë dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është i dëmshëm dhe bie ndesë me ligjet në fuqi, tha se vazhdimi i licencës për kompaninë “Eurolab” po bëhet për shkak të Ligjit për Automjete që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës gjatë legjislaturës së kaluar.

“Nuk ndihem përgjegjës për këtë kontratë, sepse unë nuk e kam nënshkruar kontratën në 2009. E ka nënshkruar Fatmir Limaj. Ndërsa Ligjin për automjete e ka sponsorizuar ish ministri Lutfi Zharku, ndërsa në Kuvend e ka procedu ish deputeti Muhamet Mustafa. E neni 34 i këtij ligji thotë: Subjekti i cili i plotëson kushtet i lëshohet licenca me afat të pa skaduar”, tha Lekaj para deputetëve.

Tutje, Lekaj tha se nëse Kuvendi i Kosovës e ndryshon ligjin në fjalë, atëherë ai do ta shkëpus kontratën me Eurolabin.

“Si ministër jam i obliguar ta zbatoj ligjin”, arsyetohej Lekaj para deputetëve.

Lekaj thotë se një komision nga Ministria e Infrastrukturës e ka vizituar kompaninë EuroLab për të parë nëse i plotëson kushtet e nevojshme.

“Ne si ministri e kemi krijuar një komision që ka shku e ka kqyrë a i plotëson kushtet. I ka plotësu kushtet, e Ligji ia mundëson me pas vazhdimësi të kontratës”, tha tutje ai.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca i tha Lekajt se ai këtë Udhëzim Administrativ e ka krijuar enkas për të iu përshtatur kompanisë Eurolab.

“Me këtë Udhëzim Administrativ iu ke përshtat kompanisë Eurolab. Për këtë kontratë ke mujtë me pas penalltia në vitin 2016. Edhe pse dyshoj që Kosova kish humbë me ndonjë arbitrazh për këtë çështje sepse kjo bie në kundërshtim me kushtetutën”, tha Lekaj.

Lekaj në një moment u nervozua duke i thënë Konjufcës se ai nuk e “shkel Ligjin edhe nëse Glauku tranohet”.

Tutje Konjufca u shprehë se dikush ka marrë pare në 2009, e dikush po merr pare edhe tash në 2019 për të ia dhënë kotnratën Eurolabit.

“Kurrë në jetë s’kam marrë pare prej dikujt. Mundem me të çu në Gjykatë, se më njeh ti”, tha Lekaj.

“Ani kush po merr pare, sepse dikush po merr”, tha Konjufca.

Pal Lekaj i ka premtuar deputetit të Vetëvendosjes, Sali Zyba se do të ia jap kontratën që Qeveria e Kosovës e ka me Eurolabin.

“Hajde merre kur të duash”, i tha Lekaj, Zybës që kërkonte kontratën.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se në letrën që ambasadorja e BE-së, Nataliya Apostolova ia ka dërguar ministrit Lekaj, thuhet se dikush nga Eurolab ka asistuar në hartimin e këtij Udhëzimi Administrativ.

Emisioni Drejtësia në Kosovë qysh në maj të vitit të kaluar kishte sjellë hulumtimin se çfarë po rrezikohet të ndodhë në Kosovë përmes këtij Udhëzimi Administrativ.

Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që është përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës, kishte konstatuar se udhëzimi Administrativ i Ministrisë së udhëhequr nga Pal Lekaj është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës.

Kompania ‘EuroLab’ asnjëherë nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com dhe ‘Drejtësia në Kosovë’ lidhur me çështjen e monopolit.

Javën e kaluar, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka rrëfyer para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dëmet që priten të shkaktohen nëse Ministria e Infrastrukturës nuk e shfuqizon Udhëzimin Administrativ që i’a zgjatë kontratën kompanisë EuroLabi në monopolin e homologimit të veturave.

Ajo iu është lutur deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta parandalojnë këtë Udhëzim Administrativ, në të kundërtën do të ballafaqohen edhe 10 vite tjera me monopolin.

“Kam qenë te Kryeministri, tek ministri i Infrastrukturës dhe deri më tani s’ka pasur asnjë reagim. Ju jeni ata që e monitorini Qeverinë, ju jeni zëri i popullit. Ju duhet të reagoni, nëse nuk reagoni deri në korrik, atëherë do të ballafaqoheni edhe 10 vite tjera më këtë”, kishte deklaruar Apostolova javën e shkuar.

 

.

Ky diskutim po vie një vit pasi Drejtësia në Kosovë kishte transmetuar hulumtimin për monopolin në homologim.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e Homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duka ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktikë mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

 

https://www.youtube.com/watch?v=4DsH31XrCeE