Presidenti Thaçi Kërkon Pajtim Ndëretnik në Kosovë

“Ne mjaft kemi vuajtur prej urrejtjes e konfrontimeve, prandaj secili duhet të shikojë nga e ardhmja zhvillimore. Të gjithë duhet të fokusohemi që të ndodh pajtimi ndëretnik në Kosovë, si parakusht për jetë të përbashkët për zhvillimin e Kosovës, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të çdo qytetari të Kosovës”, tha Presidenti në këtë takim.

Sipas tij, Këshilli Konsultativ për Komunitete ka përmbushur misionin e vet për ofrimin e një mekanizmi për shkëmbimin e rregullt ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve shtetërore të Kosovës, duke krijuar mundësitë për komunitetet për të komentuar në një fazë të hershme nismat legjislative dhe politike.

Thaçi ka falënderuar anëtaret e këshillit konsultativ, për angazhimin e tyre në përmbushjen e misionit të tyre po ashtu edhe për, siç e ka theksuar presidenti ‘ për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, Kosovës multietnike’.

“Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku që të kemi sukses, e ky sukses të ndihet të çdo qytetarë, familje kudo që jetojnë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etninë. Do të punojmë shumë për vazhdimin e angazhimeve tona për kthimin e gjithë njerëzve, të cilët dëshirojnë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e veta”, shtoi ai.

Sipas Presidentit, duke u angazhuar të gjithë mund të normalizohet marrëdhënia dhe pajtimi ndëretnik brenda Kosovës.

“Unë ndihem mirë që kurdo që kemi kontakte me të gjitha komunitetet shoh atë vullnet për të jetuar në Kosovën e re, për të jetuar bashkërisht dhe për t’u ndier mirë dhe krenar me vendin e tyre Kosovën, pavarësisht dallimeve etnike”, ka shtuar ai.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Gazmen Salijeviq ka thënë se Këshilli ka për qëllim promovimin e tolerancës komunikimit ndëretnik dhe zhvillimit të një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në mandatin tonë, së bashku me të gjithë anëtarët e këtij Këshilli, promovojmë mesazhe për tolerancë, për një komunikim më të mirë, ndërtim të besimit ndëretnik në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.