Hashim Thaçi te memoriali në Grackë - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Dënon Dëmtimin e Pllakës Përkujtimore në Grackë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar dëmtimin e pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër të Lipjanit.

“Është i dënueshëm dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër”, është shprehur presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “çdokush që ia do të mirën Kosovës e dënon këtë akt të papranueshëm”.

Javë më parë Thaçi vizitoi këtë fshat dhe bëri homazhe pranë pllakës përkujtimore të 14 civilëve serbë të vrarë në vitin 1999.

Ai ka thënë se incidentet si ky cenojnë marrëdhëniet e mira ndëretnike që po promovon Kosova, shkaktojnë frikë, zemërim e urrejtje dhe për këto nuk ka nevojë askush në Kosovë.

“Duke promovuar dialogun, pajtimin, bashkëpunimin, luftimin e çdo ekstremizmi, jemi pranuar si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Vetëm duke i promovuar këto vlera e ruajmë vendin që e meritojmë në bashkësinë ndërkombëtare”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të lejojë të pësojë për shkak të një pakice ekstremiste.

“Qytetarët e Kosovës, shumica dërmuese, të gjitha komunitetet, janë për paqe, për stabilitet, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjithë. Vetëm një pakicë fare e vogël ende ushqen ide ekstremiste dhe përjashtim, frikë e urrejtje. Nuk do të lejojmë që kjo pakicë të cenojë ambiciet dhe aspiratat e shumicës së Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.